E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon vaksinimi i bagëtive të imëta në Delvinë, nis përgatitja për shtegtimin drejt kullotave verore

Blegtorët e bashkisë së Delvinës kanë përfunduar procesin e vaksinimit të bagëtive të imta dhe tashmë ndodhen në fazën e grumbullimit dhe tregtimit të qumështit në baxhot e zonës.

Sipas specialistit të bujqësisë Hanefi Braho, blegtorët i kanë të siguruara pikat e grumbullimit dhe janë të kënaqur me çmimin me të cilin po tregtojnë produktet e tyre blegtorale.

Ai thekson se ky sezon po zhvillohet normalisht dhe me interes të lartë nga blegtorët e zonës.

“Në këto momente blektorët vaksinat e para i kanë bërë. Tani janë në momentin e prodhimit të qumështit. Jemi duke marrë prodhimin e qumështit që e çojnë nëpër baxho dhe jam tepër të kënaqur si kam siç kam biseduar me ta”, tha Braho.

Ndërkohë, blegtorët kanë nisur edhe përgatitjet për shtegtimin e bagëtive drejt kullotave verore, proces që tradicionalisht zhvillohet gjatë muajit qershor.

“Blegtorët i kanë marrë masat paraprake: venë më përpara vetë, pastrojnë dhe rregullojnë stallat, si edhe përgatisin vendin ku do të mblidhet blegtoria. I kanë sistemuar të gjitha gjërat. Tani kanë filluar edhe t’i zhvendosin me makina në zonën e Përmetit. Në zonën e Tepelenës po ashtu po i transportojnë përsëri me makina”, tha ai.

Sipas specialistit Hanefi Braho, ky proces do të monitorohet nga specialistët e bujqësisë në bashkëpunim me policinë bashkiake, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së lëvizjes së bagëtive.

Bashkia e Delvinës mbetet një nga zonat me traditë në sektorin e blegtorisë. Aktualisht në këtë bashki numërohen rreth 40 mijë krerë bagëti të imta, ndërsa në këtë aktivitet janë të angazhuar afro 150 blegtorë. Ky sektor vazhdon të mbetet një burim i rëndësishëm ekonomik për familjet e zonës dhe një mbështetje e fortë për ekonominë lokale.

Gazetare: B. Pëllumbi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›