Përgatitjet e Alis për Eurosong, RTSH mbështet këngëtarin me ture në shtetet europiane

“Nuk e di, ndihem në ëndërr”, kështu i përmbledh emocionet e tij Alis, fituesi i Festivalit të Këngës në pritje të përfaqësimit të Shqipërisë në Eurosong.
Pak ditë më parë u publikua edhe videoklipi i këngës “Nan” në faqen zyrtare të festivalit evropian, duke shënuar hapin e parë drejt skenës së madhe.
Një klip që përshtat më së miri tekstin e këngës dhe përcjell pritjen dhe mungesën.
“Është bërë në një mënyrë fine dhe elegante në mënyrë që mos të bërtiste dhimbje. Që të jetë më e perceptueshme që energji dhe koncepti të vijnë në mënyrë artistike dhe jo të japin atë ndjesinë e rëndë.”
Vetëm dy ditë nga publikimi shikueshmëria e “Nan” ka kaluar mbi 170 mijë duke e renditur atë ndër këngët më të pëlqyera nga ndjekësit e kanalit zyrtar të Eurosong.
“Diçka që unë e prisja që të jetë më e afërt me pjesën e Ballkanit por kur kam parë që ka kaluar përtej kësaj, aty jam surprizuar. Është ndjesia më e mirë.”
Tashmë Alis po përgatitet për performancën në Vjenë, rëndësi të veçantë ka promovimi i këngës në vende të ndryshme. Ashtu sikurse edhe videoklipi, turi i lëvizjes në shtete të Europës po mbështetet financiarisht nga RTSH.
“Sapo mbaruam edhe në Selanik dhe tani do shkojmë në Norvegji, Holandë dhe dy koncerte të tjera në Londër.”
Në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar, Alis u shoqërua nga miku i tij që njëherësh është konkurent në Eurovizionin e këtij viti, këngëtari i Maltës.
Aiden Kasar vlerëson këngën “Nan”, shaka bën me ngjashmërinë me Alis edhe në fizik ku në disa ture u kanë thënë se ngjajnë si binjakë.
“Po kemi një ngjashmëri por e sigurt që nuk jemi gjak. Jo se unë jam këtu por është një nga këngët e mia të preferuara sepse melodia dhe poezia është shumë e ndjeshme. Jam i lidhur me këtë lloj muzike dhe më pëlqen muzika shqiptare” u shpreh Aiden.
Lobimet e para kanë nisur dhe Aiden shpreson për vlerësimin maksimal.
“Jemi të dy në gjysmëfinale, si Shqipëria dhe Malta dhe shpresoj që Malta të vlerësojë Shqipërinë me 12 pikë, edhe ju këngën tonë.”
Shqipëria do të performojë me “Nan” në gjysmëfinalen e dytë të festivalit, më 14 maj 2026 dhe Alis e mban surprizë performancën në skenë.
/rtsh.al/