Përjashtimi i Bardhit për 15 ditë nga Kuvendi, Korreshi: Po tentojnë t’i mbyllin gojën opozitës

Deputeti demokrat Saimir Korreshi në një deklaratë për medie pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Etikës, ku u vendos përjashtimi i kreut të grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi për 15 ditë nga punimet e Kuvendit, deklaroi se mazhoranca po kërkon “t’i mbyllë gojën” opozitës.
Korreshi theksoi se e vetmja “armë” që ka opozita janë pyetjet dhe denoncimet.
“Ironia më e madhe: po të shihni hyrjet e reja në Parlament, çuditërisht këta kërkojnë të mos mbyllet parlamenti dhe thonë që opozita s’po ju jep të drejtën për të folur për hallet e popullit.
Këta s’duan të ketë denoncime normale. Dy janë gjërat kryesore, heshtja dhe mbyllja e gojës për të vetmen armë që ka sot opozita sepse numrat këta i kanë”, deklaroi Korreshi.
Ky i fundit theksoi se pyetjes drejtuar Komisionit të Etikës mbi prezencën apo jo në sallë të deputetëve socialistë firmëtarë të kërkesës për përjashtimin e Bardhit, nuk ju dha asnjë përgjigje.
“Kolegu tjetër Himçi kërkoi nga sekretariati dhe komisioni i etikës që nëse kanë qenë prezentë në sallë ata deputetë që firmosën për përjashtimin e z. Bardhi. S’morëm përgjigje.
Imagjinoni, sekretariati thotë: Ju thoni ca të doni, ne jemi gati të kalojmë në votim”, shtoi ai.
Korreshi garantoi se opozita do të drejtojë pyetje mbi të gjitha organet ligjzbatuese, ndonëse ato mund të mos pëlqehen nga mazhoranca.
“Mbetemi te kërkesat tona, do drejtojmë pyetje për organet ligjzbatuese. Jemi këtu se na kanë mandatuar 550 mijë opozitarët”, tha Korreshi.
Pas shqyrtimit të kërkesës së socialistëve për përjashtimin me një muaj të kreut të grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi nga punimet e Kuvendit, Komisioni i Etikës i mbledhur këtë të hënë vendosi lënien e masës në fuqi për 15 ditë.
/rtsh.al/