Përjashtimi i këshilltarëve të PD në Durrës, Noka: Kanë punuar për PS-në

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar lidhur me përjashtimin e dy këshilltarëve nga grupi i PD në Bashkinë e Durrësit.
Sipas tij, vendimi është marrë me kërkesë të degës lokale.
Noka shprehet se, njëri prej këshilltarëve ka punuar për Partinë Socialiste gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025, ndërsa tjetri akuzohet për përfitime personale nga posti dhe bashkëpunim me këtë forcë politike.
Reagimi:
Sqarim për opinionin publik
Lidhur me dizinformimin e mediave të qeverisë për motivin e vendimit për largimin e dy këshilltarëve nga grupi i këshilltarëve të PD të Bashkisë Durrës, sqarojmë sa vijon:
Dy këshilltarët e grupit të PD në Bashkinë Durrës janë larguar nga grupi i këshilltarëve dhe strukturat e PD lokale me kërkesë të Degës së PD Durrës, cila ka depozituar këtë kërkesë kohë më parë.
Arlind Boshku është vërtetuar se ka punuar për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit 2025, kurse Dritan Burgija ka shfrytëzuar pozicionin e këshilltarit të PD për përfitime personale nga Bashkia dhe po sipas relacionit të Degës së PD Durrës, ai ka punuar për PS.
Çdo interpretim tjetër është trillim.