Pikëpyetje të mëdha! Tregtarët e naftës vunë miliona $ baste pak minuta para postimit të Trump për bisedime me Iranin

Lufta ndonjëherë kthehet edhe në përfitim për shumë njerëz. Sidomos kur bëhet fjalë për naftë.
Tregtarët e mëdhenj kanë vendosur qindra milionë dollarë baste mbi kontratat e naftës pak minuta para se Presidenti i SHBA Donald Trump të njoftonte se, Washingtoni kishte vendosur 5 ditë armëpushim.
Të dhënat e tregut, të shqyrtuara nga BBC tregojnë se, vëllimi i tregtisë u rrit rreth 15 minuta para se Trump të postonte në “Truth” këtë vendim.
Çmimi i naftës ra ndjeshëm pas njoftimit, gati me 14% brenda pak minutash. Ndërsa tregtarët që vunë bast për këtë veprim “të papritur” fituan shifra të mëdha.
Disa analistë të tregut thonë se aktiviteti i pazakontë hedh dyshime se bastet mund të jenë vendosur me njohuri paraprake mbi vendimin.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i tha “Financial Times” se nuk “toleron asnjë zyrtar të administratës që përfiton në mënyrë të paligjshme nga njohuritë e brendshme“.
Tregjet financiare globale janë tronditur nga luftaa në Lindjen e Mesme, me çmimet e aksioneve që kanë rënë ndërsa kostoja e naftës dhe gazit është rritur ndjeshëm.
Të shtunën, Trump kërcënoi të “shkatërrojë” termocentralet e Iranit nëse nuk do të rihapte brenda 48 orëve Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalojnë rreth 20% e naftës dhe gazit botëror.
Tregjet ishin të mbyllura atë ditë, por ranë ndjeshëm në të gjithë Azinë kur u rihapën të hënën në mëngjes, ndërsa çmimi i naftës filloi të rritet. Ndërsa të hënën, në orën 07:04 (11:04 GMT), para se tregjet amerikane të hapeshin për javën, presidenti postoi në platformën e tij “Truth Social” se Uashingtoni kishte zhvilluar “BISEDA SHUMË TË MIRA DHE PRODUKTIVE” me Teheranin mbi një “ZGJIDHJE TË PLOTË DHE TOTALE” për armiqësitë.
Menjëherë, aksionet u rritën dhe çmimi i naftës ra në 84 dollarë për fuçi.
Në orën 06:49 ET, tregtarët vendosën 734 baste për kontratat e naftës bruto WTI në Bursën Tregtare të Nju Jorkut (Nymex). Një minutë më vonë, ky numër ishte rritur në 2,168. Kjo është ekuivalente me rreth 170 milionë dollarë.
I njëjti model mund të shihet tek tregtarët që blejnë kontrata për naftën bruto Brent. Mes orës 06:48 dhe 06:50 ET, vëllimi i tregtive u rrit nga 20 në më shumë se 1,650. Kjo do të thotë rreth 150 milionë dollarë në kontrata.
Tregtime të ngjashme ndodhën edhe të hënën me kontratat e ardhshme për S&P 500, Euro Stoxx 50 dhe tregje të tjera.

“Kjo duket anormale“, thotë Mukesh Sahdev, analisti kryesor i naftës në XAnalysts.
“Në atë kohë, nuk kishte indikacione se po zhvilloheshin bisedime serioze midis SHBA-së dhe Iranit. Pra, të vendosësh kaq shumë para për rënien e naftës ngre pikëpyetje”.
Kjo nuk është hera e parë që politika e jashtme e SHBA-së është lidhur me një fluks aktivitetesh bastesh.
Në janar, bastet u rritën në Polymarket, një platformë parashikimesh e mundësuar nga kriptovalutat, ndërsa lojtarët vunë baste se presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, do të largohej nga pushteti deri në fund të muajit. Orë më vonë ai u kap nga forcat amerikane.