Përkushtimi ndaj komunitetit, Urdhri i Infermierit vlerëson me certifikata mirënjohjeje tre infermierë në Gjirokastër

Për punën, sakrificat dhe përkushtimin e treguar në shërbim të komunitetit Urdhri i Infermierit të Shqipërisë vlerësoi tre infermierë që ushtrojnë profesionin në shërbimet spitalore Gjirokastër e Përmet.
Certifikatat iu dorëzuan gjatë një aktiviteti që u organizua në kuadër të ditës ndërkombëtare të Infermierit.
“Ndihem shumë i motivuar për këtë vlerësim që më është bërë me këtë certifikatë. Do të vazhdoj përpjekjet e mia për të ecur edhe më tej”, tha infermieri Daniel Teme.
“Kam 42 vite që ushtroj profesionin e mamisë. Prej 15 vitesh jam kryemami, ose përgjegjëse në maternitetin e Gjirokastrës. Ndihem e privilegjuar pasi punoj me gratë dhe vajzat, duke qenë pranë tyre si në momentet më të gëzuara, ashtu edhe në ato më të vështira”, tha infermierja Valentina Çako.
“Besoj se kjo certifikatat i shkon jo vetëm mua, por të gjithë infermierëve që punojnë të përkushtuar në punën e tyre”, tha Mimoza Çekani.
Pjesë e këtij aktiviteti u bënë edhe dy të reja të cilat prezantuan punimet e tyre në vizatim që kishin në qendër infermierin.
Gjatë aktivitetit infermierët sollën përvojat e tyre nga puna e përditshme në shërbim të pacientëve e përcollën mesazhe ndërgjegjësuese për ata të rinj që kanë vendosur ta ushtrojnë këtë mision sa human aq edhe fisnik.
Gazetare: Y.Ponde
/rtsh.al/