Përmbyllet vetingu/ Metani: Reforma hyn në fazën e institucionalizimit të standardeve

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, i pranishëm në ceremoninë përmbyllëse të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingut), ka vlerësuar rezultatet e arritura që nga nisja e reformës, por ka kërkuar një reflektim të thellë mbi të ardhmen. Sipas Metanit, përfundimi i vetingut nuk shënon fundin e reformës, por kalimin e përgjegjësisë së plotë te institucionet e përhershme të sistemit, duke paralajmëruar se një shtet i së drejtës nuk mund të funksionojë pafundësisht mbi baza të jashtëzakonshme.
Gjatë fjalës së tij, kreu i ILD-së njohu kontributin e strukturave të rivlerësimit në pastrimin e sistemit nga elementët korruptivë dhe të papërgjegjshëm.
“Anëtarët e organeve të rivlerësimit kanë kryer një punë të jashtëzakonshme duke verifikuar dhe larguar nga sistemi pjesën e pashëndetshme të tij, mbi bazën e standardeve konkrete të vlerësimit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sot sistemi i drejtësisë, edhe për shkak të kësaj pune, është dukshëm më i mirë sesa i periudhës së vitit 2016.”, tha Metani.
Kalimi drejt një sistemi të qëndrueshëm dhe llogaridhënës
Metani insistoi se ky moment përbën fillimin e fazës më të rëndësishme të reformës në drejtësi, e cila lidhet me institucionalizimin e standardeve. Sfida e tanishme, sipas tij, zhvendoset nga pastrimi i sistemit drejt garantimit të funksionimit të tij mbi standarde të qëndrueshme profesionalizmi, etike dhe përgjegjshmërie në kushte normale.
Lidhur me rreziqet e zgjatjes së masave transitore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë tërhoqi vëmendjen mbi parimet kushtetuese.
“Një shtet i së drejtës nuk mund të mbështetet pafundësisht mbi masa të jashtëzakonshme. Kur masat e jashtëzakonshme kanë karakter vazhdues apo të përhershëm, ato rrezikojnë të bien në kundërshtim me vetë parimet që synojnë të mbrojnë.”, theksoi ai.
Sipas tij, në këtë kuadër, suksesi afatgjatë i reformës nuk do të matet me statistikat e organeve kalimtare, por me kapacitetin e strukturave të reja për të administruar drejtësinë në mënyrë të pavarur.
“Dilema që duhet ti jepet përgjigje sot nuk është nëse standardet e vetingut duhet të vazhdojnë apo jo, por nëse këto standarde janë bërë pjesë e veprimtarisë së institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë për të garantuar në të ardhmen integritetin dhe llogaridhënien e magjistratëve. Sfida e sotme e të gjithëve ne është ndërtimi i një sistemi drejtësie të ri, të qëndrueshëm si dhe duke u organizuar dhe funksionuar mbi bazën e një sistemi ‘llogaridhënës të zakonshëm’.”, u shpreh Metani.
Rolet institucionale dhe ekuilibri delikat
Për të siguruar parashikueshmëri administrative dhe një kulturë të konsoliduar përgjegjshmërie, Metani detajoi ndarjen e detyrave dhe bashkëpunimin që kërkohet midis aktorëve kyç të sistemit të ri: Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), angazhim në verifikimin e përgjegjshmërisë dhe zbatimit të ligjit; Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) rol parësor në garantimin e meritokracisë, zhvillimit të karrierës dhe funksionimit të mekanizmave të llogaridhënies; Shkolla e Magjistraturës institucioni kyç për formësimin e njohurive profesionale dhe kulturës etike të brezave të rinj.
Në mbyllje të adresimit të tij, kreu i ILD-së kërkoi kujdes të shtuar për të mos cenuar pavarësinë e magjistratëve në emër të kontrollit, duke kujtuar se kjo pavarësi është një garanci kushtetuese për qytetarin e jo një privilegj personal.
“Sfida e institucioneve të reja është pikërisht ruajtja e këtij ekuilibri delikat, në mënyrë që llogaridhënia të mos cenojë pavarësinë dhe pavarësia të mos shndërrohet në mungesë përgjegjshmërie apo përgjegjësie.”, theksoi Metani.
/rtsh.al/