Përmbytjet në Gjirokastër- Lumi Drino i afrohet aksit Gjirokastër-Tepelenë, në fshatin Nokovë rrezikohen banesa. Rruga Përmet–Çarshovë, e pa kalueshme

Situata në Gjirokastër vijon të jetë problematike, si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet intensive të shiut. Në një raport të përditësuar, Prefekti i qarkut bën me dije se në km 17 të aksit rrugor Gjirokastër–Tepelenë, lumi Drino po i afrohet trupit të rrugës. Firma kontraktore ka përqendruar mjete të shumta për forcimin e argjinaturës së lumit. Në fshatin Nokovë rrezikohen disa banesa, ndërsa po punohet për devijimin e ujërave. Për shkak të rrëshqitjeve të dherave gjatë 2 ditëve të fundit, janë evakuuar gjithsej 4 familje, 2 familje në Labovë të Zhapës, Njësia Administrative Odrie, dhe 2 familje në qytetin e Gjirokastrës.
Ndërkohë, në fshatin Tërbuq, Njësia Administrative Odrie, aksi rrugor është i bllokuar, ndërsa punojnë specialistë dhe mjete të Ministrisë së Mbrojtjes. Edhe në fshatin Dhoksat, Njësia Administrative Lunxhëri, pritet ulja e nivelit të ujit për të nisur punimet për hapjen e rrugës. Në aksin rrugor që lidh fshatrat Krinë, Tranoshisht dhe Saraqinishtë është dëmtuar një urë e vogël. Bashkia Gjirokastër ka nisur transportimin e materialeve për riparimin e saj.
Në bashkinë e Dropullit, problematike mbetet ura e Glinës, e cila ka pësuar një dëmtim të ri, edhe pse aktualisht është jashtë funksionit.
Në bashkinë Libohovë janë evidentuar bllokime rrugësh në fshatrat Topovë, Zhej dhe Lliar. Në fshatin Hoshtevë, Njësia Administrative Zagori, janë evakuuar banorët e dy banesave si pasojë e rrëshqitjeve të dherave.
Në bashkinë Memaliaj problematike mbetet gërryerja e tokave bujqësore nga lumi Vjosë në Njësinë Administrative Qesarat, përballë fshatit Qesarat. Në njësinë administrative Fshat memaliaj ka dy banesa me rrezik shembje dhe banorët janë evakuuar.
Në bashkinë e Përmetit, fshati Buhal dhe zona e Frashërit mbeten të bllokuara. Ndërhyrja për hapjen e rrugës drejt fshatit Buhal mbetet e pamundur për shkak të prurjeve të larta të ujit. Në lagjen “Sede”, në qytetin e Përmetit, për shkak të ujit dhe baltës, 4 familje janë evakuuar dhe janë strehuar në një konvikt. Forcat bashkiake po punojnë për normalizimin e situatë
Aksi rrugor Përmet – Çarshovë ka pësuar një çarje të trupit të rrugës, në njësinë adm. Petran dhe është i pa kalueshëm nga automjetet. Nga Policia Rrugore janë marrë masa për ndalimin e qarkullimit.
Në bashkinë Tepelenë, në aksin rrugor Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, qarkullimi është i kalueshëm vetëm me një korsi.
Ndërkohë, pa energji elektrike mbeten fshatrat Nepravisht në Bashkinë Libohovë, Nivicë në Bashkinë Tepelenë dhe Golem në Bashkinë Gjirokastër.
/rtsh.al/