E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet nga reshjet-Koçiu në Durrës: Institucionet në gatishmëri, hidrovorët funksionalë për menaxhimin e situatës

Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu ka bërë të ditur nga Durrësi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura të orëve të fundit.

Gjatë inspektimit në hidrovorin e ri të bashkisë së Durrësit, Koçiu nënvizoi se funksionimi paralel i dy hidrovorëve, atij të ri dhe atij ekzistues, ka qenë vendimtar për të shmangur një situatë të agravuar në qytet.

“Dy hidrovorët, edhe i riu edhe i vjetri janë funksionalë për të lehtësuar situatën në përballimin dhe menaxhimin e saj. Sigurisht reshjet e 24 orëve të fundit të reshjeve kanë sjellë një situatë shqetësuese në qytetin e Durrësit. Të gjitha institucionet janë në gatishmëri të plotë. Duhet të kalojnë edhe 12 orët të cilat gjithashtu janë kritike dhe më pas do të fillojnë edhe vlerësimet e dëmeve siç kanë filluar në zonën e Kënetës në Durrës. Procesi i vlerësimit të dëmeve do të vijojë edhe në ditët në vijim. E rëndësishme është të apelojmë që këto orë që vijnë qytetarët të bëjnë kujdes. Të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin të gjitha këshillat e autoriteteve lokale”, u shpreh Koçiu.          

Ndërkaq, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, konfirmoi se infrastruktura kritike po funksionon pa ndërprerje.

Ajo bëri të ditur se hidrovori i ri, i ndërtuar me fondet e qeverisë, ka qenë në punë të plotë prej rreth 48 orësh, me të gjitha pompat aktive, ndërsa edhe hidrovori i vjetër është funksional me 6 pompa dhe kapacitete rezervë për furnizimin me energji elektrike.

“Pa funksionimin e këtyre objekteve do të ishte e pamundur menaxhimi i situatës. Ato monitorohen 24 orë nga stafet teknike dhe kanë një rëndësi jetike për qytetin në raste emergjencash,” theksoi Sako.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›