Përplasi këmbësoren në vija të bardha dhe u largua, arrestohet 29-vjeçari në Vlorë

Një aksident me pasojë plagosjen e një këmbësoreje është regjistruar më 30 shtator 2025, rreth orës 16:00, në segmentin rrugor “Gjergj Kastrioti” në Vlorë.
Gjatë drejtimit të automjetit të tij, një 29-vjeçar aksidentoi shtetasen Z. M., 55 vjeçe, e cila po kalonte në vendkalimin e këmbësorëve, dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. E plagosura u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe përdorimit të kamerave të sigurisë, shërbimet e Policisë Rrugore të Vlorës arritën të identifikojnë automjetin dhe drejtuesin e tij. Autori i dyshuar, Xh. R., 29 vjeç, banues në Vlorë, u lokalizua, u arrestua, dhe automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, pasi ishte fshehur për të shmangur përgjegjësinë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale:
“Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”
“Largimi nga vendi i aksidentit”
/vizionplus.tv