Përplasje në “Trialog”/ Balliu: Rama rri në pushtet për t’i ikur burgut. Zogaj: Mos u gënjeni, asnjë kancelari evropiane s’ka kërkuar largimin e tij

Qëndrimi i faktorit ndërkombëtar ndaj qeverisë “Rama” dhe aksionit të opozitës ka shkaktuar debate në studion e emisionit “Trialog” në RTSH. Deputeti i PD, Klevis Balliu dhe analisti Preç Zogaj kanë ndarë pikëpamje të kundërta mbi mbështetjen e huaj dhe legjitimitetin e qeverisë.
Balliu: Ndërkombëtarët kanë folur qartë
Për deputetin demokrat, sinjalet nga ndërkombëtarët janë dhënë përmes rezolutave dhe raporteve kritike. Balliu argumentoi se Edi Rama po mbahet me forcë në karrige jo për pushtet, por për mbijetesë personale.
“Rama do të bëjë gjithçka për të qëndruar në pushtet sepse për 24 orë shkon në burg po të mos ketë pushtet,” deklaroi Balliu. Ai renditi si argumente tre rezoluta ndërkombëtare, sipas tij, që dënojnë kapjen e shtetit; deklaratat e ambasadës së SHBA për kartelet e drogës; ankesat e SPAK se kryeministri po ushtron presion mbi drejtësinë.
Zogaj: Rezolutat nuk rrëzojnë qeveri
Nga ana tjetër, analisti Preç Zogaj ishte skeptik ndaj opozitës për rezolutat. Ai theksoi faktin se, pavarësisht kritikave, asnjë kancelari evropiane nuk ka kërkuar zyrtarisht largimin e qeverisë shqiptare.
“Nëse doni të merreni me rezoluta, me u ‘tiganis’ me rezoluta, nuk nxirrni gjë. Qëndrimet janë qëndrime shteti,” u kundërpërgjigj Zogaj.
Analisti solli në vëmendje precedentët historikë, duke kujtuar se ndërkombëtarët ndërhyjnë fort vetëm kur procesi zgjedhor është i pakorrigjueshëm, siç bëri SHBA në vitin 1996 apo BE në vitin 2001.
/rtsh.al/