Përplasje para Kuvendit, plagosen gjashtë efektivë policie, dërgohen në Spitalin e Traumës

Situata para Kuvendit është tensionuar sot, teksa qytetarët protestojnë në të njëjtën kohë me seancën e fundit plenare të kësaj legjislature.
Policia e Shtetit bëri me dije se, si pasojë e goditjes me sende të forta nga protestuesit gjatë tubimit pranë Parlamentit, 6 punonjës të saj janë lënduar dhe aktualisht po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës.
Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit kanë sjellë ndërhyrjen e uniformave blu, të cilat kanë përdorur autobotin me ujë dhe spraj me piper për të shpërndarë turmën para Xhamisë së Namasgjasë.
Protestuesit kanë hedhur vezë dhe domate në drejtim të efektivëve të policisë, duke tentuar të çajnë gardhin metalik të vendosur përreth godinës së Kuvendit.
Gjatë përplasjeve është raportuar për lëndimin e tre efektivëve të Policisë së Shtetit; njëri prej tyre u plagos pasi në drejtim të tij u hodh një kapsollë nga protestuesit.
Dy policë të tjerë janë shoqëruar me ambulancë, pasi dyshohet se kanë pësuar lëndime gjatë përplasjes.
Nga ana tjetër, edhe protestuesit kanë pësuar lëndime. Një qytetar është larguar me ambulancë pasi kërkoi ndihmë mjekësore pas përdorimit të sprajit me piper nga policia.
Gazetarët e RTSH raportojnë se një tjetër protestues është goditur me gur në kokë dhe, me ndihmën e dy protestuesve të tjerë, është dërguar me nxitim drejt ambulancës. Pavarësisht gjendjes së tij, ai ka vijuar me thirrje të forta: “Mos u dorëzoni!”.
Protestuesit kanë vijuar me thirrjet e njohura si: “Ju erdhi fundi”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria” dhe “Nuk na përfaqësoni”, duke kërkuar dorëheqjen dhe arrestimin e kryeministrit Rama. Atmosfera para Kuvendit mbetet e tensionuar, ndërsa policia ka rrethuar zonën me masa të shtuara sigurie.
/rtsh.al/