E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Irani lehtëson bllokadën më të gjatë të internetit në historinë moderne

TEHERAN, 26 maj /ATSH-DPA/- Irani ka lehtësuar pjesërisht bllokimin e internetit që kishte zgjatur për më shumë se dy muaj, në atë që organizatat monitoruese e cilësuan si ndërprerjen më të gjatë kombëtare të internetit në historinë moderne.

Sipas organizatës “NetBlocks”, vendi ishte pothuajse i shkëputur nga rrjetet ndërkombëtare për 2,093 orë.

Megjithatë, organizata paralajmëroi se ende nuk është e qartë nëse rikthimi i aksesit do të jetë i qëndrueshëm.

Të dhënat e kompanisë “Cloudflare” treguan një rritje të trafikut në internet gjatë ditës së sotme, krahasuar me javët e mëparshme.

Burime iraniane thanë se presidenti Masoud Pezeshkian ka urdhëruar heqjen e bllokadës ndaj lidhjeve ndërkombëtare të internetit, megjithëse nuk është bërë publik një afat i saktë për rikthimin e plotë të aksesit.

Qeveria iraniane kufizoi pothuajse totalisht internetin global që nga fillimi i konfliktit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 28 shkurt.

Gjatë kësaj periudhe, qytetarët kishin akses vetëm në “internetin kombëtar”, që lejon përdorimin vetëm të faqeve të miratuara nga shteti.

Bllokada ka sjellë pasoja të konsiderueshme ekonomike dhe sociale, ndërsa Irani vijon të mbajë një nga sistemet më të rrepta të censurës së internetit në botë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›