E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përshëndetja e Presidentit Topi në Forumin Ekonomik të Biznesit shqiptaro-slloven.

19 shkurt 2009

I nderuar zoti President!
I nderuar zoti Zëvendësministër!
Të nderuar autoritete të pushtetit vendor të Durrësit, të këtij qyteti të bukur bregdetar që na ka ofruar gjithnjë mikpritjen!
I nderuar zoti Uldedaj!

Ju falenderoj shumë për mundësinë e organizimit të këtij forumi dhe një përshëndetje speciale natyrisht do e bëj për përfaqësuesit e sipërmarrjes sllovene, të cilët shoqëruan Presidentin e Sllovenisë në këtë vizitë shumë të rëndësishme në Shqipëri!

Kemi diskutuar me Presidentin, mikun tonë të nderuar Danilo Tyrk shumë çështje të karakterit politik, gjeostrategjik dhe të nevojës për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona, kemi bërë analiza retrospektivë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, që jetojnë në të njëjtin ekosistem, në rajonin ballkanik dhe jemi sintonizuar në mënyrë fare të qartë me atë ç’ka sot ofron rajoni ynë i përbashkët. E kemi thënë e vazhdojmë ta themi se jemi fatlumë, që më së fundi rajoni ynë ballkanik, rajoni ynë i përbashkët po gjen qetësinë e tij dhe kuptohet që mbas qetësisë, njerëzit dëshirojnë të ndërtojnë mirë jetën e tyre, të rrisin standardet. Unë, së bashku me Presidentin kemi parë dhe konstatuar që gjërat ndryshojnë në mënyrë shumë interesante. Shpeshherë në të kaluarën kemi diskutuar fatet e hidhura të izolimit. Gjithmonë gjërat trajtohen në sens relativ, por po ju them që në sensin më absolut të mundshëm, Shqipëria vite më parë ofronte një realitet të mbyllur, të izoluar, të vetmuar, i destinuar të konsumonte gjithçka brenda vetmisë së tij. Brenda pak vitesh, falë shembjes së Murit të Berlinit, falë vendosjes së demokracive, falë partnerëve tanë ndërkombëtarë, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit po fitojnë tjetër liri. Sot Shqipëria është një vend i hapur, ka mundësi të diskutojë jo thjeshtë në sensin diplomatik dhe politik, por t’i japë një dimension të ri pikërisht asaj që konsiderohet diplomacia ekonomike.

Shqipëria falë edhe mbështetjes edhe të shtetit slloven, dhe të Presidentit, pas disa ditësh do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO. Ky është një moment shumë i rëndësishëm, një arritje e madhe politike, por nga ana tjetër, për t’u futur në kontekstin e këtij takimi shumë të rëndësishëm ofron një siguri të jashtëzakonshme për investimet ekonomike. Shqipëria dhe Sllovenia janë dy vende që sikurse thashë janë shumë afër, por historia ka bërë që të qëndrojnë disi larg. Sot politika, komunikimi kaq i natyrshëm midis institucioneve dhe sot me vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, Presidenti i Sllovenisë i jep garancinë jo vetëm këtyre marrëdhënieve, por i jep mundësinë që edhe bota e biznesit të jetë e pranishme në përbërjen e delegacionit të tij si një shembull sinjifikativ, që politika nuk mund të ecë në mënyrë metafizike pa pjesën tjetër, politika është shumë e rëndësishme për t’i dhënë dimension tjetër të gjitha marrëdhënieve ndërinstitucionale, por politika është shumë e rëndësishme për të krijuar hapësirat e lirisë ekonomike. Zoti Zëvendësministër i Ekonomisë demonstroi vullnetin, që kanë pasur institucionet shqiptare, parlamenti shqiptar për të bërë reforma të rëndësishme në fushën e ekonomisë, në fushën fiskale dhe unë ju siguroj, jo si autoriteti i vendit mikpritës, por ju siguroj me realizmin e fjalës sime që Shqipëria sot ka një terren të mrekullueshëm për të investuar.

Në ato takime të shpeshta që unë kam pasur edhe me ndërkombëtarë, dikush po më thonte: “a e dini ju se keni plazhet e fundit në Evropë”? Natyrisht e tha me një sens që Shqipëria presupozon një terren të virgjër përsa u përket investimeve. Ai e kishte në sensin e zhvillimit të turizmit, por ka mjaft fusha të tjera që do të ishin me shumë interes për të gjithë ju. Kjo është bukuria e biznesit, biznesi ka intuitën, biznesi nuk do mbivendosje, biznesi gjen hapësira të reja, gjen hapësira të pashkelura, por ka dhe kompeticion.

Duke ditur traditën e zhvilluar të një vendi si Sllovenia një vend civil, një vend industrial, një vend i bukur, një vend që di të ruajë ekuilibrat natyrorë, një vend që di të zhvillojë industrinë, por të ruajë dhe mjedisin, ne kemi se çfarë të mësojmë. Por ajo që ne mund të themi sot dhe besoj që këtë garanci ua japin dy presidentët e dy vendeve respektive është që biznesi duhet të jetë shumë më afër njëri-tjetrit, duhet të krijohet baza e shëndoshë e lidhjeve, në mënyrë që të mos themi se ka disproporcion midis marrëdhënieve politike dhe zhvillimit të botës së biznesit. Politika dhe biznesi duhet të shkojnë në mënyrë të sinkronizuar, sepse kjo është situata që na është krijuar në rajonin tonë. Ne kemi krijuar marrëdhënie të mira dhe në nivel presidentësh të vendeve të rajonit duke bërë takime periodike dhe besoj që këto nuk janë për ekzibicion, këto nuk janë për t’u shprehur një herë në vit se cili është pozicioni i vendeve, por këto janë takime bashkëpunimi, këto janë takime për të krijuar frymëmarrje, sepse zhvillimin e vërtetë e jep bota e lirë e sipërmarrjes.

Kështu që, të nderuar biznesmenë, sipërmarrës shqiptarë dhe sllovenë: Ndërtoni urat e bashkëpunimit për të investuar në vendet respektive! Unë nuk do futem në elementë të këtyre investimeve, por Shqipëria jua ofron shumë këto mundësi, sepse duke qenë një terren që kërkon shumë, duke qenë një terren shumë dinamik dhe kjo shikohet me sy të parë, kemi nevojë sot të investojmë në infrastrukturë, në energjitikë, në turizëm, në farmaceutikë, aty ku dhe ju jeni të zhvilluar, në agroindustri, dhe kjo është mundësi që na e jep bota e lirë, bota demokratike, ku edhe biznesi është padyshim promotor i të gjithë zhvillimeve dhe arritjes së standardeve.

Unë edhe një herë zoti President dëshiroj t’ju falenderoj që keni bërë pjesë të delegacionit tuaj botën e sipërmarrjes, duke demonstruar realisht mentalitetin e një politikani modern, i cili ka menduar, vazhdon të mendojë dhe do të mendojë që e ardhmja e popujve tanë patjetër që do të implementohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë në aspiratën euroatlantike!

Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›