E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshkallëzohen tensionet SHBA-Iran, Teherani: Jemi gati, lufta e re më e gjatë se e mëparshmja! Trump: Iranianët s'janë të besueshëm në negociata

Paralajmërimet amerikane për një luftë të re pas 4 nëntorit kanë vënë në lëvizje Gardën Revolucionare të Iranit, e cila po identifikon objektiva dhe skenarë të rinj për t’u kundërpërgjigjur.

Zëdhënësi Hossein Mohebi tha se në një konflikt të mundshëm me Shtetet e Bashkuara, nuk ka kufizime gjeografike. “Është përcaktuar një plan i gjerë veprimi për të shkaktuar dëme ndaj armikut dhe për të arritur frenim të plotë. Që tani e tutje, asnjë vend nuk do të jetë në gjendje të mbajë një qëndrim politik armiqësor ndaj Iranit, e as të ushqejë ndonjë ambicie ndaj territorit të tij", tha përfaqësuesi i Pasdaran.

Irani beson gjithashtu se një luftë e re me Shtetet e Bashkuara mund të jetë më e gjatë se ajo e mëparshmja.

Së fundmi Teherani e ka shpallur shërbimin e inteligjencës britanike MI6, Marinën Mbretërore dhe Forcat Ajrore Mbretërore si grupe armiqësore ose organizata terroriste, në përgjigje të masave të marra nga qeveria britanike kundër Teheranit. 

Teherani përmendi veprimet britanike kundër Republikës Islamike gjatë vitit të kaluar si bazë për vendimin. Mediat amerikane si Axios dhe Neë York Times kanë raportuar se Uashingtoni dhe Izraeli po përgatiten për një ofensivë të re të mundshme kundër Iranit pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA më 3 nëntor. Objektivat e mundshme përfshijnë zyrtarët iranianë dhe infrastrukturën energjetike dhe bërthamore. 

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje për konfliktin vazhdojnë.

Një delegacion iranian mbërriti të shtunën në Doha për të vazhduar konsultimet mbi kushtet që Teherani ka vendosur për t'i dhënë fund luftës me Shtetet e Bashkuara, sipas Ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi. Por, presidenti amerikan Trump e ka quajtur Iranin të pabesueshëm lidhur me negociatat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›