Si rënia e Vuçiqit në Serbi pasqyroi atë të Orbanit në Hungari

Kur u takuan në veri të Serbisë në nëntorin e vitit të kaluar, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri hungarez Viktor Orban vështirë se mund ta kishin imagjinuar se brenda një viti të dy do të largoheshin nga pushteti.
Të dy u rrëzuan nga lëvizje popullore. Orban humbi fillimisht, në prill, pasi partia Tisza e udhëhequr nga Péter Magyar fitoi zgjedhjet. Ndërsa të dielën e kaluar, një lëvizje studentore në Serbi, e krijuar më pak se dy vjet më parë, fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare.
Partia Tisza në Hungari dhe Lista Studentore në Serbi kanë struktura shumë të ndryshme. E para mbështetet kryesisht te personaliteti dhe energjia e liderit të saj, ndërsa studentët serbë këmbëngulin se nuk kanë një udhëheqës të vetëm.
Megjithatë, pjesëmarrja e lartë në zgjedhje – 79 për qind në Hungari dhe 69 për qind në Serbi – u nxit nga të rinjtë e aftë në përdorimin e teknologjisë. Në të dyja vendet, ata shfrytëzuan mjete të inteligjencës artificiale për të analizuar të dhënat, identifikuar rreziqet për procesin zgjedhor dhe mobilizuar dhjetëra mijëra vëzhgues, me qëllim parandalimin e frikësimit të votuesve dhe manipulimeve nga partitë në pushtet.
Mobilizimi i votuesve dhe prania e vëzhguesve në qendrat e votimit luajtën rol të rëndësishëm në fitoren e opozitës në të dyja vendet, transmeton Telegrafi.
Fundjavën e kaluar, grupi hungarez i aktivizmit qytetar DE dërgoi 70 vëzhgues zgjedhorë në Serbi, ku bashkëpunuan me përfaqësuesit e lëvizjes studentore dhe vizituan qendrat e votimit në provincën veriore të Vojvodinës.
Gjatë verës, edhe para shpalljes së zgjedhjeve, grupi kishte organizuar punëtori për t'u përcjellë studentëve serbë përvojat dhe metodat e përdorura gjatë zgjedhjeve në Hungari.
Një nga teknikat kryesore ishte identifikimi paraprak i zonave zgjedhore të dyshuara për manipulime. Bëhej fjalë për vendvotime ku rezultatet e mëparshme kishin treguar numër jashtëzakonisht të lartë votash për partinë në pushtet, duke ngritur dyshime për frikësim të votuesve ose praktika të njohura si “votimi zinxhir”.
“Rreth orës 16:00 të ditës së zgjedhjeve, vumë re grupe huliganësh të maskuar, mbështetës të Vuçiqit, që po mblidheshin pranë qendrave të votimit. Kështu dërguam ekipe lëvizëse dhe nisëm të filmonim gjithçka”, tha për BBC-në Péter Klemm, aktivist studentor nga Subotica.
Sipas tij, së bashku me vëzhguesit që qëndronin në vend, 20 deri në 30 vullnetarë në secilën qendër të kërcënuar krijuan një prani të mjaftueshme për të penguar frikësimin e votuesve dhe manipulimet.
Orban në Hungari dhe Vuçiq në Serbi për një kohë të gjatë dukeshin të pathyeshëm. Të dy ishin liderë të fuqishëm, që kishin qëndruar përkatësisht 16 dhe 14 vjet në pushtet, kishin marrë nën kontroll institucione shtetërore dhe kishin krijuar perandori biznesi me interesa të ndërlidhura në të dyja vendet.
Kur u takuan për një drekë të shkurtër me byrekë tradicionalë në një furrë të njohur në qendër të Suboticës, gati një vit më parë, Orban zgjodhi byrek me djathë, ndërsa Vuçiq atë me mish.
Më pas, ata vizituan një kantinë vere, ku diskutuan për naftën dhe marrëveshje të tjera biznesi, përfshirë planin e Hungarisë për të blerë rafinerinë serbe të naftës NIS.
Dy liderët nacionalistë kishin shumë interesa të përbashkëta, si në politikë, ashtu edhe në biznes. Ata ndanin miqësinë me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping, si dhe mbështetjen për Milorad Dodikun, liderin separatist të serbëve të Bosnjës.
Ndërkohë, mes Beogradit dhe Budapestit po ndërtohet një linjë hekurudhore me shpejtësi të lartë, me financim dhe ekspertizë kineze.
Ngjashmëritë mes largimit të dy liderëve nga pushteti janë të dukshme. Aleksandar Vuçiq e pranoi humbjen në orën 21:30 të së dielës, pikërisht në të njëjtën orë kur Viktor Orban kishte pranuar humbjen më 12 prill. Pak vëzhgues kishin pritur që ndonjëri prej tyre ta pranonte rezultatin paqësisht.
Gjatë kësaj jave janë ngritur dyshime se Vuçiq kishte biseduar dy herë me Orbanin të dielën në mbrëmje për t'i kërkuar këshilla: fillimisht para se të pranonte humbjen dhe më pas, në orën 23:15. Sipas këtyre pretendimeve, Orban e kishte bindur aleatin e tij serb të mos përdorte forcën.
Vuçiq mohon se ka biseduar me Orbanin para njoftimit të tij për rezultatin, por pranon se kanë zhvilluar një bisedë më vonë. Ndërkaq, Orban refuzoi të komentonte për BBC-në.
Një orë para mbylljes së vendvotimeve në Serbi, persona të maskuar dhe me kapuç u pozicionuan në qendër të Beogradit. Gjatë procesit zgjedhor, grupe të ngjashme u fotografuan pranë shumë qendrave të votimit, ku u penguan nga vëzhguesit.
Një tjetër ngjashmëri është edhe numri i vendeve në parlament. Lista Studentore pritet të ketë 140 deputetë në Kuvendin e Serbisë, i cili ka 250 ulëse – po aq sa fitoi partia Tisza e Péter Magyarit në parlamentin hungarez me 199 vende.
Magyar ishte i vetmi lider evropian që telefonoi drejtpërdrejt studentët për t'i uruar atë mbrëmje, dhe ndoshta i vetmi që kishte numrin e tyre të telefonit.
“Është gjithmonë mirë të dëgjosh se përvoja e Tiszës mund të shërbejë si frymëzim për popujt e tjerë”, tha kryeministri hungarez për BBC-në.
“Rezultati i zgjedhjeve në Hungari na tregoi qartë se ajo që po bëjmë këtu është e drejtë”, deklaroi në prag të votimit Ilija Srdanoviq, drejtues i Listës Studentore.
Srdanoviq ishte një nga personat me të cilët Péter Magyar bisedoi atë të dielë në mbrëmje.
Tashmë, Orban, 63 vjeç, dhe Vuçiq, 56 vjeç, mund të përballen me procese gjyqësore për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit.
Sistemet e drejtësisë në të dyja vendet kanë ngjashmëri. Prokuroria Speciale e Serbisë për Krimin e Organizuar, e njohur si JTOK, dhe prokurorët e rinj specialë të Hungarisë, të njohur si NVVH, kanë kompetenca të ngjashme dhe mund të bashkëpunojnë në këtë drejtim.
Edhe kompani hungareze të afërta me Orbanin ishin të përfshira në projektin e ndërtimit të stacionit hekurudhor në Novi Sad. Shembja e strehës së stacionit më 1 nëntor 2024, e lidhur me korrupsionin dhe neglizhencën, shkaktoi vdekjen e 16 personave dhe u bë shkëndija që nxiti lëvizjen studentore në Serbi.
“Ekzistonte perceptimi në Evropë se sa më gjatë të qëndronin në pushtet regjimet e Orbanit dhe Vuçiqit, aq më të fuqishme bëheshin ato”, tha për BBC-në Áron Timar, themelues i grupit hungarez të aktivizmit qytetar DE.
“Në të vërtetë, ato po dobësoheshin. Dhe sapo shoqëria gjeti zërin e saj dhe u ngrit, nuk kishte më asgjë që mund ta ndalte”, përfundoi ai. /Telegrafi/