Personeli amerikan largohet nga baza kyçe në Lindjen e Mesme – Irani kërcënon me hakmarrje

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e personelit dhe trupave nga baza ajrore al-Udeid në Katar, ndërsa përgatiten për mundësinë e një përshkallëzimi ushtarak me Iranin.
Lajmi u raportua nga rrjeti amerikan NBC, me zyrtarët amerikanë që e përshkruajnë këtë veprim si një “masë paraprake”.
Personeli ushtarak nga baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme po zhvendoset në objekte dhe hotele të tjera në zonë, për të shmangur rrezikun e një hakmarrjeje iraniane në rast se SHBA ndërmarrin sulme.
Qeveria e Katarit konfirmoi lëvizjen, duke theksuar se është një përgjigje ndaj tensioneve rajonale dhe se siguria e qytetarëve e banorëve mbetet prioritet.
Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton një gamë të gjerë opsionesh për veprime të mundshme ushtarake kundër Iranit, pas shtypjes së protestave nga regjimi i Teheranit.
Zyrtarët iranianë paralajmëruan se bazat amerikane dhe izraelite në rajon mund të jenë shënjestër në rast të një sulmi. “Qendrat ushtarake dhe detare amerikane do të jenë shënjestrat tona legjitime,” deklaroi kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Ghalibaf, në televizionin shtetëror.
Në qershor të vitit të kaluar, trupat u larguan gjithashtu nga al-Udeid si pjesë e operacionit të Pentagonit kundër objekteve të pasurimit bërthamor në Iran, i koduar “Çekani i Mesnatës”.
Irani reagoi atëherë duke lëshuar raketa drejt bazës.
Një burim i njohur me çështjen tha se largimi i qershorit ndodhi në minutën e fundit dhe me koordinim të kufizuar, ndërsa lëvizja aktuale duket të jetë pjesë e një plani më të organizuar dhe proaktiv, në funksion të një operacioni të mundshëm.
/rtsh.al/