E Martë, 3 Nëntor 2026

Peshkatarët e Shëngjinit zgjedhin markatën për tregtimin e kontrolluar të peshkut

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Markata e peshkut në Shëngjin po kthehet gjithnjë e më shumë në një pikë referimi për tregtimin e organizuar, të kontrolluar dhe me standarde të produkteve të detit.

E ndërtuar si një investim i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) dhe aktualisht e administruar nga bashkia Lezhë, përmes ndërmarrjes publike “Lezha Invest”, kjo markatë ofron një qasje të re dhe funksionale për sektorin e peshkimit në Shqipëri.

Administratori i “Lezha Invest”, Besmir Frroku vlerësoi faktin se tashmë subjektet po ndërgjegjësohen dhe po e sjellin gjithë prodhimin e tyre në markatë, duke u larguar nga mënyrat informale të tregtimit. Sipas tij, bashkëpunimi me institucionet përkatëse është thelbësor për të vijuar me rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rëndësinë e konsumit të produkteve të certifikuara.

“Subjektet kanë filluar të ndërgjegjësohen dhe të sjellin të gjithë peshkun në markatën e peshkut. Kërkojmë më shumë bashkëpunim, veçanërisht nga institucionet përkatëse, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë rëndësinë e peshkut të certifikuar”, theksoi Frroku.

Ai shtoi se interesimi nga ana e peshkatarëve është në rritje, pasi kjo formë tregtimi u ofron atyre një kanal të sigurt, të mbikëqyrur dhe të ndershëm për shitjen e prodhimeve të tyre.

“Ne monitorojmë të gjithë procesin, sepse anijet do të marrin certifikimin, dhe njerëzit do të kenë një treg ku mund të marrin peshk sipas të gjitha standardeve”, shprehet administratori.

Markata e Shëngjinit po funksionon edhe si pikë grumbullimi dhe shitjeje, duke garantuar cilësinë dhe gjurmueshmërinë e produkteve detare.

Kjo nismë ndihmon në formalizimin e tregut të peshkut, rrit besimin e konsumatorëve dhe ka një ndikim pozitiv në mbrojtjen e shëndetit publik. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›