E Diel, 1 Nëntor 2026

Peticion në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, OVL-UÇK thirrje qytetarëve ta nënshkruajnë

Hysni Gucati, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së bëri të ditur se nga kjo e mërkurë për të gjithë qytetarët gjendet online, por edhe në format të shkruar një peticon në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, për të cilët Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin me nga 45 vite burg.

 “Ne nuk do ndalemi kurrë kundër Gjykatës Speciale, jo kundër drejtësisë, por padrejtësisë që po ndodh. Kemi gjetur mbështetje nga shtatë universitete të Kosovës, në Tiranë, Shkup dhe Tetovë dhe kemi përgatitur një peticion kombëtar që hyn nga sot në fuqi.” – u shpreh Hysni Gucati, Kryetar i OVL-UÇK.

Për kryetarin e parlamentit studentor të Universitetit të Prizrenit, Riad Bislimaj, vendimi i Gjykatë Speciale ka peshë historike, juridike dhe politike.

 “Si i tillë do të ketë ndikim në stabilitetin rajonal si dhe në perceptimin e drejtësisë dhe besimit në institucionet ndërkombëtare. Andaj, ne konsiderojmë se vendimi duhet të bazohet ekskluzivisht në prova dhe fakte të administruara në gjykim.”

Kreu i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Xhavit Jashari tha se prokuroria ka objektiv kryesor luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jo vetëm katër ish-krerët e saj. 

“Ne e pamë edhe gjatë fjalës përfundimtare sesa herë brenda një afati të shkurtër përmendet UÇK-ja, në vazhdimësi nuk kemi besimin te prokuroria.”

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kërkojnë nga qytetarët, institucionet dhe partitë politike që ta nënshkruajnë atë peticion, i cili i kërkon Gjykatës Speciale respektim të plotë të të drejtave themelore të të akuzuarve, përfshirë heqjen e menjëhershme të masës së paraburgimit dhe përjashtim të çdo prove të siguruar nga autoritetet e Serbisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›