“Pezullimi i Ballukut, absurditet”, Rama: Vendimi i Gjykatës, presion për shkarkimin e numrit dy të qeverisë

Pezullimi i Belinda Ballukut me vendim të Gjykatës së Posaçme është cilësuar absurd nga Kryeministri Edi Rama. Duke e nisur serinë e re të podcastit të tij pikërisht për këtë çështje, Rama citoi edhe reagimin e Komisionit të Venecias, i cili theksoi se ky vendim ka cënuar balancën, duke marrë përsipër kompetenca të cilat nuk i ka.
“Qëndrimi i Venecias është në fakt shumë i prerë. Gjykatat NUK duhet të pezullojnë anëtarë të qeverisë, sepse duke bërë këtë, së pari, cënojnë balancën e pushteteve. Për sa kohë një ministër është figurë politike, pjesë e ekzekutivit, përgjegjës para Parlamentit dhe Kryeministrit, nëse gjykata e pezullon, ajo praktikisht: ndërhyn në punën e qeverisë, ndërron përbërjen e ekzekutivit, merr kompetenca që i takojnë Kryeministrit dhe Presidentit. Dhe kjo konsiderohet nga Venecia shkelje e palejueshme e kufirit ndarës mes pushteteve.”
Sipas kreut të qeverisë, pezullimi nga detyra i Ballukut është de facto presion për shkarkimin e saj.
“Masat e pezullimit vlejnë për nëpunësit, jo për anëtarët e qeverisë, sepse ministri nuk është ‘zyrtar administrativ’, por autoritet politik. Së fundi, pezullimi gjyqësor i ministrit është de facto presion për shkarkimin e tij, duke qenë se kur pezullohet një ministër, nuk pezullohet një individ, por paralizohet krejt vendimmarrja për një apo më shumë sektorë që ministri mund të mbulojë. Dhe kjo është këmbë e krye jokushtetuese.”
Duke e cilësuar një eksperiment të padëgjuar, Rama u shpreh se precedentë të tillë nuk ka pasur në asnjë vend të Bashkimit Evropian.
“Pra, edhe njëherë, kjo që kanë bërë në Shqipëri një prokuror e një gjykatës, duke pezulluar një anëtar të kabinetit qeveritar, është një tentativë e padëgjuar, një eksperiment i paparë, një ide e pazhvilluar asnjëherë më parë dhe, mesa duket, një rrugë e paimagjinuar askund tjetër se mund të shkelet nga gjyqësori, për të marrë kompetencat e Kryeministrit, të Presidentit e të Parlamentit bashkë.”
Kryeministri u shpreh se beson që Gjykata Kushtetuese do t’i japë një zgjidhje këtij ngërçi që tashmë ka lënë vendin pa numrin dy të qeverisë.
/vizionplus.tv