Shpërthimi me tritol në derën e shtëpisë, flet nëna e Gentjan Zotos: Jam e habitur, nuk e di arsyen

Mbrëmjen e djeshme në lagjen “Partizani” në Vlorë është shënuar një shpërthim pranë portës së banesës së 63-vjeçares Bakie Zoto, nëna e Gentjan Zotos (Dautaj), i cili është dënuar me 35 vite burg nga Gjykata e Apelit për përfshirje në atentatin ndaj Inez Ajrullës më 10 maj 2019.
Ngjarja ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa policia po heton për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar autorin. Pamjet e siguruara nga “Vizon Plus” tregojnë fasadën e jashtme të dëmtuar të banesës, ku ka ndodhur shpërthimi.
Bakie Zoto, e cila jeton e vetme në këtë lagje, shprehet se është thellësisht e habitur nga ngjarja. Ajo thotë se nuk ka pasur konflikte me askënd dhe nuk e kupton arsyen e sulmit.
“Jetoj vetëm. Erdhi policia menjëherë. U bë më shumë tym. Nuk kam asnjë konflikt. Jam prej vitesh këtu në lagje. Nuk e di, jam habitur edhe vetë”, ka deklaruar ajo.
Gentian Zoto është dënuar me 35 vite burg nga Gjykata e Apelit për pjesëmarrje në atentatin ndaj Inez Hajrullës më 10 maj 2019 në Vlorë. Për të njëjtën ngjarje janë dënuar edhe Daut Elmazi, Igli Memaj, Serxho Ademi dhe Albano Goxhaj.
Gjatë atentatit, Hajrulla ndodhej në një lokal me Ervis Matodashajn, kur disa persona hapën zjarr ndaj tij. Në vendngjarje u gjetën dy gëzhoja dhe një fishek i pa goditur, ndërsa u plagos rastësisht Dajko Canodemaj.
Pamjet filmike treguan një “Land Rover” që afrohej te lokali, nga i cili zbriti një person. Në ato momente disa persona u larguan me vrap, ndërsa Hajrulla u pa duke qëlluar drejt automjetit. Në ikje e sipër, autorët u përplasën me dy makina pranë Bashkisë Vlorë dhe më pas u zhdukën drejt fshatit Babicë. Pak më vonë, policia gjeti automjetin të djegur, brenda të cilit ndodheshin dy armë automatike të karbonizuara dhe një dorezë plastike e djegur pjesërisht.
/vizionplus.tv