E Diel, 1 Nëntor 2026

Pezullimi i zv.kryeministres, Berisha: Gjykata Kushtetuese të zhvillojë seancë publike

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që të parashikojë një seancë publike në shqyrtimin e çështjes lidhur me ankimin e qeverisë për vendimin e GJKKO për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“I bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese të parashikojë seancë publike në gjykimin e kësaj çështje pasi është çështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës evropiane dhe botërore.

Kurrë ndonjëherë, një kryetar qeverie, një kryeministër, shef ekzekutivi, president qoftë ai, nuk ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese për të mbrojtur masat që gjykatat e tjera kanë marrë për vjedhje të dokumentuara në të gjitha aspektet.

Ky akt i Edi Ramës lidhet absolutisht vetëm me implikimin e tij gjer në veshë në këtë aferë dhe në afera të tjera që vijnë pas”, tha Berisha.

Berisha kërkoi gjithashtu që Parlamenti të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që seanca të zhvillohet në mënyrë plenar dhe të hapur për publikun, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të ndjekin procesin dhe të dëgjojnë shpjegimet lidhur me vendimet e qeverisë.

“I kërkoj parlamentit të bëjë të gjitha demarshet që Gjykata Kushtetuese të zhvillojë seancë plenare të hapur për publikun, në të cilën shqiptarët të shohin me sytë e tyre, të dëgjojnë me veshët e tyre se si Edi Rama ka zëvendësuar institucionin e dorëheqjes dhe shkarkimit me institucionin e vjedhjes qeveritare”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›