E Diel, 1 Nëntor 2026

Pije freskuese kontrabandë nga Maqedonia e Veriut, arrestohet 38-vjeçari në Dibër

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Policia e Dibrës ka finalizuar operacionin e koduar “Dërgesa”, duke goditur një rast të kontrabandës së mallrave të dyshuara të futura ilegalisht nga Maqedonia e Veriut. Në pranga ka rënë një 38-vjeçar, ndërsa vëllai i tij është shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë proceduar penalisht tre doganierë të Pikës së Kalimit Kufitar Bllatë, të dyshuar për shpërdorim detyre.

Policia e Shtetit njofton se në aksin rrugor Maqellarë-Bulqizë, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi E. H. Gjatë kontrollit të automjetit tip “Benz”, furgon, u gjetën 762 koli me pije freskuese pa faturë shoqëruese.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve në ambientet e banesës dhe në një automjet tjetër tip “Volkswagen”, u gjetën 1296 koli me pije freskuese dhe 638 kuti me produkte ushqimore (salcë).

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 38 vjeç, banues në fshatin Pocest, Maqellarë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, ndërsa u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi L. H.

Sipas Policisë, nga hetimet paraprake dyshohet se dy vëllezërit kanë futur në territorin e Republikës së Shqipërisë mallrat e sipërpërmendura në mënyrë të kundërligjshme, duke shmangur procedurat e kontrollit dhe deklarimit doganor.

Në vijim të veprimeve, nisi procedimi penal për veprën “Shpërdorimi i detyrës” për shtetasit B. C., 43 vjeç; Sh. K., 60 vjeç; dhe F. M., 48 vjeç, të tre me detyrë doganierë në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›