E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqyrtohet progresi i reformave dhe investimeve të financuara nga BE-ja

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Bashkimi Evropian dhe Qeveria shqiptare mbajtën dy mbledhje të monitorimit të përvitshëm në Tiranë më 9 dhe 10 qershor për shqyrtimin e progresit me zbatimin e asistencës financiare të BE-së në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (RGF) dhe Instrumentit për Ndihmën Para Anëtarësimit (IPA).

Mbledhjet e bashkëkryesuara nga Eridana Çano, Koordinatore Kombëtare e IPA-s,
Koordinatore Kombëtare e RGF-së dhe Drejtore e Përgjithshme e SASPAC-ut dhe Sigrid
Brettel, Shefe Njësie e Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerimin dhe
Fqinjësinë Lindore (DG ENEST) vlerësuan arritjet, diskutuan vështirësitë dhe arritën
marrëveshje për përparësitë e vitit në vijim.

Të dy instrumentet luajnë rol kyç për mbështetjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke përshpejtuar reformat dhe siguruar përfitime të prekshme për qytetarët.

Instrumenti për Reforma dhe Rritje

Komisioni i dytë i Monitorimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje shqyrtoi progresin e
zbatimit të Agjendës së Reformave të Shqipërisë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin
Perëndimor në pesë fusha me përparësi: mjedisi i biznesit, kapitali njerëzor, energjia,
transformimi digjital dhe infrastruktura, dhe shteti i së drejtës.

Agjenda e Reformave mbështet reformat që synojnë të përshpejtojnë konvergjencën
ekonomike me Bashkimin Evropian, rritjen e konkurrueshmërisë, përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun e Vetëm të BE-së dhe sjelljen e përfitimeve për qytetarët që përpara anëtarësimit.

Tregu i Vetëm dhe sjellja e përfitimeve për qytetarët që përpara anëtarësimit

Që prej fillimit të programit në vitin 2024, Shqipëra ka përfunduar 21 nga 41 hapat e
reformave gjatë periudhës së parë të raportimit dhe 12 nga 21 hapat e reformave në
periudhën e dytë të raportimit. Bazuar në këtë progres, BE-ja ka disbursuar deri tani 213
milionë Euro në tre këste nga shuma e përgjithshme prej 922 milion Eurove, çka e bën
Shqipërinë një nga vendet me performancën më të mirë ndër vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në hapje të mbledhjes, Zv.kryeministrja Albana Koçiu konfimoi edhe një herë
angazhimin e Shqipërisë për procesin e reformave.

“Mbi të gjitha, RGF-ja është mjet për ndryshimet e thella strukturore që do t’i mbijetojnë
edhe vetë instrumentit duke formësuar kapacitetet, kulturën e llogaridhënies dhe koherencën e politikave të shtetit shqiptar në periudhën afatgjatë. Qeveria e Shqipërisë ka garantuar udhëheqjen politike dhe mobilizimin ndërqeveritar. Dorëzimi i raportit të radhës në korrik të këtij viti përfaqëson një fazë vendimtare, sepse është testimi i maturisë sonë administrative dhe sinjal drejtuar parterëve tanë evropianë dhe rajonit lidhur me çka Shqipëria është e aftë të arrijë”, tha Koçiu.

Sipas zv.kryeministres Koçiu Qeveria është tërësisht e ndërgjegjshme se rigoroziteti i këtij dorëzimi do të kushtëzojë drejtpërsëdrejti trajektoren e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.

“Nuk kërkojmë vetëm këstin e radhës së fondeve. Po ndërtojmë historikun që do ta përcaktojë Shqipërinë si partner të besueshëm të parashikueshëm dhe me performancë të fortë të Bashkimit Evropian”, tha Koçiu.

Sigrid Brettel mirëpriti performancën domethënëse të Shqipërisë ndërkohë që nxiti vijimin e këtij momenti.

“Performanca e Shqipërisë në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje është e mirë dhe ne duam t’ju mbështesim që kjo performancë të jetë e shkëlqyer. Periudha e ardhshme e raportimit do të jetë kritike në kuadër të afrimit të disa prej afateve të zbatimit të reformave. Gjirthashtu, Komisioni Evropian do t’i akordojë fonde shtesë vendeve të Ballkanit Perëndimor me performancën më të mirë. Shqipëria ka mundësi të vijojë të renditet ndër vendet me performancën më të mirë dhe të përfitojë nga mbështetja shtesë e bazuar në reforma në të ardhmen, përmes progresit të vazhdueshëm me zbatimin e tyre”, tha ajo.

Komisioni Evropian theksoi rëndësinë e ruajtjes së momentit të reformave dhe
bashkërendimin e efektshëm për të siguruar disbursimet e ardhshme dhe përparimin e
procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Performanca e mirë e Shqipërisë mund t’i
mundësojë vendit të përfitojë financim shtesë nga BE-ja, të lidhur me angazhimet e ardhshme për reforma në kuadër të Agjendës së Reformave.

Ndihma në kuadër të IPA-s

Komisioni i Përvitshëm për Monitorimin e IPA-s shqyrtoi zbatimin e rreth 150 projekteve në
zbatim e sipër të financuara nga BE-ja, të cilët mbështesin reformat që lidhen e procesin e
anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Që prej vitit 2007, BE-ja ka siguruar më shumë se 1,9 miliardë EURO për Shqipërinë në
formë grantesh. Së bashku me investimet e Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, kjo mbështetje ka mobilizuar rreth 4,7 miliardë Euro investime që prej vitit 2008.

Komisioni mirëpriti nisjen e projekteve të reja gjatë vitit pararendës në fusha që përfshijnë
anti korrupsionin, mjedisin, qeverisjen vendore dhe sigurinë ushqimore.

Për më tepër, janë miratuar 100 milionë Euro në kuadër të programit IPA 2025-2027 në
mbështetje të reformave për shtetin e së drejtës, drejtësinë, të drejtat e njeriut, qeverisjen e mirë dhe lëndët e para kritike. BE-ja mirëpriti edhe përdorimin më të gjerë të projekteve të Binjakëzimit, ku Shqipëria mund të ndihmohet drejtpërsëdrejti nga institucione të Vendeve Anëtare të BE-se, të cilat mbështesin përgatitjet për anëtarësim në BE.

Diskutimet theksuan nevojën e përshpejtimit të zbatimit të një sërë programesh madhore,
përfshirë programe operacionale me vlerë rreth 130 milionë Euro në fushat e transformimit digjital, eficiencës së energjisë dhe punësimit të rinisë. Zbatimi i tyre me sukses lidhet edhe me përmbylljen e piketave mbyllëse në kuadër të Kapitullit 22 të negociatave të anëtarësimit.

Komisioni diskutoi edhe fushat që kërkojnë vëmendje të shtuar, përfshirë kapacitetet
administrative, plotësimin me dhe mbajtjen e stafit, procedurat e kontraktimit,
bashkërendimin e projekteve të investimit, përgatitjet për menaxhimin e programeve të BE-së në të ardhmen dhe fuqizimin e menaxhimit dhe kontrollit financiar, dhe sistemeve të
kontrollit.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›