E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pikturë simbolike për lirinë, dhurata e të dënuarit francez para lirimit nga IEVP Shkodër

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Klevis Qose, ka ndarë sot në rrjetet sociale historinë e një të dënuari francez, i cili, dy ditë para përfundimit të dënimit në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Shkodër, dhuroi një pikturë me mesazhe të forta simbolike për drejtësinë, shpresën dhe jetën.

“Nga qelia, drejt lirisë… me një pikturë që flet më shumë se mijëra fjalë”, shkruan Qose.

“Vetëm dy ditë para se të mbyllte dënimin, një shtetas francez në IEVP Shkodër dorëzoi “çelësat e burgut” dhe la pas një dhuratë që do të mbetet përgjithmonë: një pikturë e mbushur me simbole të forta për drejtësinë, shpresën dhe jetën,”, bën të ditur Qose përmes rrjeteve sociale.

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve më tej shkruan se, “ai zgjodhi të pikturonte ambientin ku takohen shtetasit në konflikt me ligjin me avokatin — një “hartë mendore” ku retë, peshoret, ndërtesat, minaret, zemrat dhe yjet flasin për rrugëtimin e tij mes kulturave, ndjesinë e afërsisë me botën jashtë dhe ëndrrën për një fillim të ri.

“Ky moment nuk është thjesht mbyllja e një dënimi, por hapja e një faqeje të re — me më shumë dashuri për jetën dhe lirinë”, vijon Qose.

Ai mbylli statusin me një urim: “I urojmë S.B. të kthehet pranë familjes dhe shoqërisë së tij me paqe në zemër dhe dritë në sy”.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›