Pilur – Çelet nata e parë e festivalit “Netët e Bejkës së Bardhë”

TIRANË, 21 qershor / ATSH/ Nata e parë e edicionit të VI të Festivalit “Netët e Bejkës së Bardhë” u çel në Pilur.
Në mbrëmjen e parë të këtij qershori, Piluri u gdhi ndryshe. Midis gjetheve të ullinjve dhe ajrit të kripur të detit, u ndezën sërish dritat e Festivalit “Netët e Bejkës së Bardhë”, që këtë vit mbërriti në edicionin e tij të gjashtë.
Ishte një natë e mbushur me ndjenja të pastra, ku fjala poetike dhe tingulli i muzikës gjetën strehë në zemrat e atyre që ishin aty, jo vetëm për të parë, por edhe për të ndjerë. Në këtë natë të parë, Piluri u bë shtëpia e kujtimeve, fjalëve të pathëna dhe frymëzimeve që lindin vetëm kur arti dhe natyra takohen në heshtje.
“Këto janë këngët tona, janë burimore, janë këngët e kohës, janë këngë lirike, patriotike, historike që kanë përcjellë historinë e këtij kombi në jetën e tij të përgjithshme. Ky aktivitet është në nder të Lefter Çipës, Nderi i Kombit,” tha poeti Kristo Çipa.
“Në ditët e festivalit vijnë grupe dhe të interesuar për kulturën shqiptare dhe sidomos për polifoninë, e cila është një pasuri e mbrojtur edhe nga UNESCO,” tha Aleksandër Çipa, organizator i “Netëve të Bejkës së Bardhë”.
“Netët e Bejkës së Bardhë” vazhdojnë të jenë një pikë referimi për ruajtjen dhe promovimin e kulturës. Organizuar në një nga fshatrat më emblematikë të Jugut, ky festival nuk është thjesht një ngjarje artistike, por një akt kujtese, respekti dhe vazhdimësie për një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë sonë kombëtare: këngën polifonike.
Nata e parë solli interpretime të grupeve të njohura polifonike, por edhe zëra të rinj që mbajnë gjallë frymën e Labërisë me pasion e përkushtim.
Në këtë festival prezantohen repertorët më te soikatura të isopolifonisë, që janë një aset i çmuar i trashëgimisë kulturore.
1 nga 33/a.f/