Pirdeni: Rrisim kapacitetet në administratë për përthithjen e fondeve të BE-së, trajnim edhe sektorit privat

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni u shpreh sot se forcimi i kapaciteteve të administratës publike po ecën paralelisht me shtimin e stafeve dhe përgatitjen e tyre për procesin e integrimit evropian.
Në një konferencë me gazetarët, Pirdeni tha se fokusi nuk lidhet vetëm me përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga kapitujt e negociatave, por edhe me përgatitjen e administratës për të përthithur fondet e Bashkimit Evropian.
“Ne duhet të kemi kapacitete të mjaftueshme për të qenë konkurrues dhe për të përthithur sa më shumë fonde të BE-së në momentin kur Shqipëria do të bëhet vend anëtar”, u shpreh Pirdeni.
Ministrja Pirdeni vlerësoi faktin se kjo është një sfidë me të cilën përballen edhe vendet anëtare të BE-së, ndërsa theksoi rëndësinë e krijimit të strukturave të afta për menaxhimin e fondeve evropiane.
Pirdeni nënvizoi rolin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) në rritjen e cilësisë së trajnimeve dhe zhvillimin profesional të administratës.
Sipas saj, ASPA ka kapacitete të përgatitura brenda administratës publike, të cilat mund të trajnojnë kolegët e tyre, duke krijuar një trupë ekspertësh të aftë për të përcjellë njohuritë dhe praktikat më të mira.
“Kjo trupë me ekspertizë të mirë do të mund të trajnojë edhe sektorin privat, i cili përballet me sfidat e përshtatjes me legjislacionin dhe standardet e Bashkimit Evropian, si edhe me ritmin e ri të zhvillimit ekonomik që duhet të marrë Shqipëria”, tha Pirdeni.
Pirdeni bëri të ditur se ASPA ofron një paketë shërbimesh për palët e treta dhe bizneset, përmes trajnimeve në fusha të specializuara si prokurimet publike, menaxhimi financiar dhe aplikimi për fondet e BE-së.
“Këto kurse ofrohen në mënyrë të dedikuar për sektorin privat kundrejt pagesës, si pjesë e një modeli të ri biznesi që synon rritjen e kapaciteteve të ASPA-s dhe vetëfinancimin e saj”, tha ajo.
/e.i/j.p/r.e/