Plagosja e 39-vjeçarit turk në Sauk, shkak aktivitetet e paligjshme?

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet lidhur me plagosjen me armë zjarri të shtetasit turk Halil Uçar mbrëmjen e së hënës në Tiranë. 39-vjeçari u plagos në ambientet e një restoranti turk në zonën e Saukut të vjetër.
Sipas policisë autori është një shtetas turk me origjinë kurde.
Ai e ka qëlluar 39-vjeçarin me pistoletë nga një distancë e afërt, por i është bllokuar arma dhe i plagosuri ka marrë vetëm një plumb pranë barkut, ndërsa sipas mjekëve gjendja e tij shëndetësore paraqitet stabël dhe jashtë rrezikut për jetën.
Burime bëjnë me dije se i plagosuri 39-vjeçari Halil Uçar nuk është treguar bashkëpunues me hetuesit për identifikimin e autorit dhe për sqarimin e rrethanave të konfliktit.
Policia dyshon se i plagosuri merret me aktivitet të paligjshëm, pasi kishte disa ambiente me qira në kryeqytet.
Grupi hetimor po heton edhe pistën nëse shtetasi turk merrej me aktivitetin ilegal të call center-ave apo të kriptomonedhave.
Konfliktet në aktivitetet e tij të paligjshme dyshojnë hetuesit së mund të jetë edhe shkaku i tentativës për ta vrarë 39-vjeçarin Halil Uçar.