E Hënë, 2 Nëntor 2026

Plagosja e protestuesit, Lamallari: Vënë kujën në Kuvend pasi kanë fshehur dorën e gurëve

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, publikoi sot pamje që tregojnë plagosjen e një protestuesi nga një gur i hedhur nga ana e vetë protestuesve gjatë tubimit të zhvilluar para Kuvendit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Lamallari akuzoi organizatorët e protestës se po përpiqen të krijojnë skenarë dhune dhe të manipulojnë ngjarjet.

“Qëllimet ogurzeza t’i harroni! Ata që dje sokëllinin për skenarë gjakatarë të thikave me helm dhe çadrave pistoletë, pasi vranë me pushkët e shtetit në ditën për diell qytetarë të pafajshëm, sot vënë kujën në Kuvend, pasi kanë fshehur dorën e gurëve që hidhen pas shpinës së vetë protestuesve”, shkroi ministri.

Lamallari kritikoi gjithashtu drejtuesit e opozitës, duke i akuzuar se, sipas tij, po përpiqen të mbajnë peng të ardhmen evropiane të vendit përmes akteve të dhunës.

“I njëjti soj politikanësh pa din e iman, që në dëshpërim të thellë nga braktisja masive që u kanë bërë shqiptarët, gënjejnë veten se mund të mbajnë peng me molotovarë dje e kapuçzinj sot, të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Nuk ka kthim pas!”, u shpreh Lamallari.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›