Plagosje me thikë në Korçë, një 23-vjeçar shtrohet në spital

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Korçës mbrëmjen e sotme, ku një i ri ka mbetur i plagosur me mjet prerës. 23-vjeçari, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, është paraqitur me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarët në terren, i riu ka mbërritur në spital me plagë të shkaktuara nga një thikë në zonën e barkut. Pavarësisht gravitetit të plagëve, burime nga policia bëjnë me dije se 23-vjeçari ka shfaqur hezitim për të bashkëpunuar me autoritetet, duke refuzuar të japë detaje mbi autorin apo rrethanat e sulmit.
“23-vjeçari nuk ka pranuar të japë detaje se kush e plagosi, por gjithsesi uniformat blu kanë kuptuar se bëhet fjalë për një konflikt të mëparshëm të tij dhe disa personave të tjerë.”, informon gazetarja e RTSH 24.
Aktualisht, i plagosuri ndodhet nën kujdesin e mjekëve të spitalit rajonal të Korçës, ku po merr trajtimin e nevojshëm për plagët e marra. Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave të tjerë që mund të kenë qenë dëshmitarë apo të përfshirë në konfliktin e mëparshëm të përmendur nga policia.
/rtsh.al/