Plani i adoptimit të euros në Shqipëri, RTSH publikon dokumentin me kriteret që vendi të jetë pjesë e Eurozonës

Bashkimi Europian do të përcaktojë sesi do të zbatohet korniza për adoptimin e euros në Shqipëri përpara mbylljes së përkohshme të Kapitullit 17 – Politika ekonomike dhe monetare.
Në dokumentin e siguruar nga televizioni publik, përkatësisht pozicioni i përbashkët negociues për Grupkapitullin 3, parashikimi i shkruar është që pas anëtarësimit, Shqipëria nuk bëhet menjëherë pjesë e zonës së euros dhe Eurosistemit.
Një plan i detajuar varësisht përmbushjes edhe të aspekteve të tjera që rrethojnë terrenin e monedhës euro, merret përsipër të hartohet nga BE-ja para mbylljes së përkohshme të këtij kapitulli. Ky dokument do të duhet të japë edhe datën e përfshirjes së Shqipërisë në zonën euro sipas planit përkatës, por edhe përmbushjes me siguri ligjore nga ana e Shqipërisë të parakushteve për funksionimin e monedhës europiane brenda territorit shqiptar.
Aktualisht kapitulli përkatës konstaton që, në lidhje me politikën monetare, Shqipëria ka një nivel të lartë përafrimi me legjislacionin e BE-së mbi ndalimin e aksesit të privilegjuar në sektorin publik për institucionet financiare. Po ashtu BE-ja vëren se legjislacioni i Shqipërisë është pjesërisht i përafruar me korpusin ligjor të BE-së mbi pavarësinë e bankës qendrore dhe mbi ndalimin e financimit monetar të sektorit publik.
Ndërsa BE-ja fton Shqipërinë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përafruar plotësisht objektivat e Bankës së Shqipërisë me legjislacionin e BE-së, mirëpritet fakti që, në lidhje me politikën ekonomike, Shqipëria ka bërë përparim në forcimin e qeverisjes së saj fiskale dhe është pjesërisht në përputhje me korpusin ligjor europian mbi kornizat buxhetore afatmesme.
Po ashtu BE-ja vëren përafrimin e pjesshëm të legjislacionit kombëtar të Shqipërisë me atë europian mbi parashikimet buxhetore, statistikat, rregullat numerike fiskale, transparencën e financave të përgjithshme qeveritare, dhe procedurën e çekuilibrit makroekonomik.
Kërkesa europiane është për të përmirësuar statistikat makroekonomike dhe të financave qeveritare të Shqipërisë, për të krijuar një institucion të pavarur fiskal, për të prodhuar një parashikim dhe për të rafinuar procesin e saj të parashikimit.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/