Rritje e primeve dhe kontratave të sigurimeve, ulje e dëmeve të paguara

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Tregu i sigurimeve në Shqipëri gjatë periudhës janar–gusht 2025 ka shënuar rritje të ndjeshme, çka reflekton zgjerim të mbulimit të sigurimeve.
Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit arritën në 17,9 miliardë lekë, me një rritje prej 9,53% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ndërkohë, numri i kontratave të sigurimit të lidhura gjatë 8-mujorit arriti në 1,116,204, duke shënuar një rritje prej 6,12% në raport me një vit më parë.
Tregu vijon të mbetet i orientuar kryesisht drejt sigurimeve të Jo-Jetës, të cilat përbëjnë 91,57% të totalit të primeve.
Sigurimet e Jetës përfaqësojnë 8,40%, ndërsa risigurimi ka një pjesë shumë të vogël prej vetëm 0,026%.
Nga pikëpamja e ndarjes së tregut sipas natyrës së kontratave, sigurimet e detyrueshme përbëjnë 61,84% të tregut, ndërsa sigurimet vullnetare zënë 38,16%.
Sa i përket kompensimeve, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve gjatë janar–gusht 2025 arritën në rreth 5,468 milionë lekë, duke shënuar një ulje me 2,27% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Megjithatë, në kategorinë e sigurimit motorik, dëmet e paguara bruto u rritën me 2,59%, duke arritur në 4,195 milionë lekë, çka tregon për një dinamikë më të lartë të këtij segmenti krahasuar me të tjerët. /j.p/
