Planifikoi vrasjen e një shtetasi me një ish komisar policie në Durrës, GJKKO lë në burg Rexhep Rapin (alias Kep Arapi)

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e shtetasit nën hetim Rexhep Rapi (alias Kep Arapi), nëpërmjet së cilës ai kërkonte zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”. Ai kishte depozituar një kërkesë në Gjykatë duke kërkuar zbutje të masës së sigurisë për arsye shëndetësore.
Ai u arrestua pas zbërthimit të aplikacionit Sky Ecc, për planifikimin e vrasjes së shtetasit Xhevdet Plaku, atentat i planifikuar të realizohej më datë 17 shtator 2019, në Durrës, kur ai ishte shoqëruar në komisariat nga oficeri i policisë, Dedan Gjoni, me pretendimin se përdorte makinë të blinduar.
SPAK thotë se Rexhep Rapi, i njohur si Kep Arapi, nipi i tij, Algert Rapi, Dejvi Gjermëni, i njohur edhe me emrat Elton dhe Sako Gjermëni, si dhe oficeri i policisë, Dedan Gjoni, krijuan kushtet për vrasjen e Plakut, për motive hakmarrje.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, vendosi rrëzimin e kërkesës.
/rtsh.al/