E Diel, 1 Nëntor 2026

Platforma “Export On”, Ibrahimaj: 2026-a me politikë të re industriale për eksportet

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar programin “Export On”, një nismë që synon forcimin e eksporteve dhe transformimin e modelit ekonomik të vendit drejt investimeve, prodhimit vendas dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Ajo theksoi se në pesë vitet e fundit eksportet shqiptare kanë shënuar rritje të ndjeshme, ku 85% e tyre përbëhen nga eksportet e shërbimeve, me turizmin që po fiton gjithnjë e më shumë peshë.

Sipas ministres, sektori i shërbimeve po rritet me ritme më të shpejta. Në këtë kuadër, gjatë vitit 2026 pritet miratimi i një politike të re industriale, e cila do të synojë nxitjen e prodhimit vendas dhe rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare.

“Duam ta ndryshojmë modelin e ekonomisë shqiptare, të krijojmë dhe të mbështesim një ekonomi e cila mbështet në investime, në eksport dhe të gjitha këto shërbejnë për të mbështetur rritjen ekonomike. Eksportet shqiptare janë rritur në 5 vitet fundit dhe kemi parë vendosje të strukturës. 85% e eksporteve janë të përbëra nga eksportet e shërbimeve ku turizmi gjithmonë e më shumë po zë peshë. Nga ana tjetër pesha e eksporteve të mallrave ka ardhur në reduktim por shërbimet janë rritur më shpejt se sa mallrat. Gjatë vitit 2026 do të miratojmë një politikë industriale e cila do të nxisë prodhimin vendas”, u shpreh ministrja.

Po ashtu, ministrja bëri të ditur se shumë shpejt do të lançohet edhe një program për forcimin e diplomacisë ekonomike, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Një tjetër element i rëndësishëm i nismës është krijimi i produktit “Made in Albania”, ku gjatë këtij viti pritet hartimi dhe miratimi i ligjit përkatës.

“Kemi një program të cilin e kemi miratuar në fund të vitit dhe është programi për nxitjen e eksporteve Ky program ka ardhur si rrjedhojë e shumë analizave me qëllim për të parë sfidat se kush janë sfidat që eksportuesit kanë dhe çfarë nevojash kanë. Programi është i  hartuar në 4 shtylla kryesore, e para është ndërgjegjësimi. Nëpërmjet këtij programi duam të fuqizojmë rolin e AIDA si pikë kyçe për nxitjen e eksporteve por nga ana tjetër duam që të fuqizojmë më mirë diplomacinë ekonomike një program të cilin do ta lancojmë shumë shpejt në bashkëpunim Ministrinë e jashtme. Produkti ‘Made in Albania’ ku gjatë këtij viti do të hartojmë dhe do të miratojnë ligjin ‘Made in Albania’”, tha ajo.

/rtsh.a/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›