Platforma piramidale TXEX, një nga viktimat e skemës rrëfehet si ra pre: Mos u besoni! Janë të gjitha mashtrime

Një skemë e re mashtrimi ka prekur qytetarët shqiptarë. Platforma e quajtur TXEX dhe disa të tjera të ngjashme me të, duke u paraqitur si mundësi “të sigurta” investimi në kriptovaluta, kanë shkaktuar disa viktima, duke u marrë miliona lekë kursime familjeve nga Lezha në Lushnjë.
Në një rrëfim ekskluziv për emisionin “Në kohë reale” në RTSH 1 HD, një prej këtyre viktimave tregoi si nisi kjo histori për të dhe çfarë e ngacmoi që të hedhë paratë e veta, madje të ftojë edhe të njohur të tjerë për t’u bërë pjesë e skemës.
“Më ka ndodhur mua, por dhe shumë të tjerëve këtu në Lezhë dhe më gjerë Lezhës. U bëmë pjesë e një platforme online e quajtur TXEX, që funksiononte nga Telegrami. Nuk shkarkohej nga App Store, por nga një link. Ne na u prezantua si një mundësi për të fituar lekë shpejt. Unë kam investuar 2 mijë euro në lojë. Akoma nuk kam tërhequr asnjë lloj leku, sepse loja u bllokua. Kam futur nën vete edhe katër persona: dikush me 1 mijë, dikush me 2 mijë, dikush me 3 mijë. Kishte persona që po nxirrnin lekë, sepse kjo ishte arsyeja pse shumë njerëz u futën, sepse kishte njerëz që po nxirrnin lekë. Unë kam humbur 2 mijë euro. Ka njerëz që kanë humbur 3, 5, 10 mije euro. Ka njerëz që kanë marrë borxhe për t’u futur në lojë dhe unë rashë pre e këtij mashtrimi online. Po dalin shumë platforma të reja online si kjo, por me emër tjetër. Mos u besoni sepse të gjitha janë mashtrim!” apeloi personi.
Platformat online funksionojnë në formën e një skeme piramidale të sofistikuar, duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe aplikacione komunikimi, si Telegram, Signal dhe WhatsApp për të joshur viktimat me premtime përfitimesh të mëdha.
Vetëm në grupin TXEX në Telegram ka pasur mbi 6 mijë qytetarë të anëtarësuar.
“Në fillim u premtuan fitime të shpejta. Përdornin Telegramin, flisnin shqip. Pra, e kuptoje që ishte një skemë shqiptar-për-shqiptar. E pamë edhe fizikisht që në qoftë se shkoje në bare në rastin e Lushnjes ata mund të të hapnin llogari, edhe kamerierët të orientonin. Ka pasur raste që janë marrë lekë kesh, por më së shumti janë dhënë në kriptovalutë,” tha eksperti i IT, Shahin Dokuzi.
Prej historikut të mëparshëm me skemat e mirëfillta të mashtrimit, legjislacioni shqiptar i ka paraprirë këtyre veprave kriminale duke sanksionuar në ligj edhe dënimin e tyre nëpërmjet Nenit 143/a të Kodit Penal.
“Ky ka qenë një alarm shoqëror për Shqipërinë, prandaj është bërë edhe një ligj. Neni 143/a bën fjalë për skemat mashtruese dhe piramidale. Është i tillë që e fillon marzhin e dënimit nga 3 në 10 vjet dhe në qoftë se pasojat janë të rënda, siç ka pasur raste më parë që njerëzit e mashtruar kanë vrarë edhe veten, ose që vepra penale është kryer në bashkëpunim me të tjerë, marzhi i dënimit shkon nga 10 në 20 vjet,” shpjegoi avokatja Margarita Kola.
/rtsh.al/