E Diel, 1 Nëntor 2026

Plazhi 100 vjeçar në Pogradec, vendasit nuk e braktisin zonën e “Uçkave”, po tërheq edhe vizitorë të tjerë

Plazhi i Uçkave është mbi 100 vjeçar dhe vit pas viti atij i bashkohen turistë vendas dhe të huaj.

I pozicionuar në hyrje të qytetit, Bashkia e Pogradecit jo vetëm që e ka rikthyer këtë plazh si vite më parë, por e ka pajisur atë me elementët që i nevojiten një plazhi publik.

Banorët vendas, kryesisht pogradecarë, janë ata më besnikët e këtij plazhi. Në këtë zonë dikur gratë lanin rrobat, ndërsa fëmijët zinin peshk me vazo  një traditë që jeton ende në kujtimet e pogradecarëve.

Sot, teksa fëmijët luajnë në rërë dhe të moshuarit bëjnë banjë në liqen, Uçkave vijon të mbajë gjallë një histori që, ndonëse e thjeshtë, mbetet autentike.

“Këtu kemi larë gjithë jetën. Edhe rrobat i lanim këtu. Fëmijët tanë kanë mësuar të notojnë në këtë ujë”, tha një plazhiste.

“Vijmë çdo vit në këtë plazh tradicional sepse është një vend i qetë, uji është i pastër dhe nuk ka zhurmë. Ndaj dhe ndjehemi sikur jemi në shtëpinë tonë.”u shpreh një tjetër.

Këtë sezon, ndryshe nga vitet e mëparshme, rreth 70% e vijës liqenore është shpallur plazh publik. Bashkia ka vendosur çadra për pushuesit, duke garantuar një turizëm të barabartë për të gjithë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›