Po kalon pushimet në Shqipëri, ministri Nufi mikpret në Vlorë homologun belg

Në një atmosferë jashtë kostumit zyrtar, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi mikpriti në Vlorë homologun e tij belg, Theo Francken, i cili po viziton Shqipërinë së bashku me familjen.
“Një takim i ngrohtë për të ndarë disa momente larg angazhimeve zyrtare, si dhe një mundësi e mirë për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin në kuadër të prioriteve të përbashkëta mes dy vendeve tona.” – u shpreh Ministri Nufi përmes publikimit në rrjetet e tij sociale.
Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken ka zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet verore, duke u ndalur edhe në qytetin e Beratit së bashku me familjen.
Gjatë qëndrimit në Berat, Francken është angazhuar edhe në aktivitete sportive, duke përfituar nga ditët e pushimit për të eksploruar vendin dhe për të kaluar kohë me familjarët.
Vizita e tij vjen në kulmin e sezonit turistik, ndërsa Shqipëria vijon të tërheqë edhe figura të njohura ndërkombëtare, të cilët zgjedhin vendin për pushime dhe përvoja larg angazhimeve zyrtare.
/rtsh.al/