‘Po rrisni pagat e policëve për të shtypur protestat, qytetarët janë dhunuar’- Çuçi ‘përplaset’ me Kaprin në Komision: Po sulmet me molotovë ndaj efektivëve pse nuk i përmend?

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe kryetari i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Bledi Çuçi, kanë replikuar në mbledhjen e Komisionit, lidhur me reagimin e Policisë gjatë protestave të dhunshme të disa ditëve më parë.
Kapri tha gjatë fjalës së tij se rritja e pagave për punonjësit e Policisë po bëhet me qëllim shtypjen e protestave.
Teksa nxori fotografi të protestuesve të dhunuar sipas tij nga Policia, Kapri tha se Policia ka përdorur dhunë jo-proporcionale mbi protestuesit.


“Rritja e pagave dhe shpërblimi pas protestës, e cila vijon duke u shtypur. Dua të di sa ka kushtuar blerja e dy autobotëve që hedhin ujë, nëse janë dhuruar, dua të di nga kush? Po dronët që hedhin gazin lotsjellës, që kanë rënë mbi kokat e protestuesve, ato ndalohen të fluturojnë mbi kokat e njerëzve, mbi ç'bazë ligjore e bëni? Dua të di, a keni dijeni për dhjetëra protestues që janë dëmtuar rëndë nga plumbat e gomës, shkopat e gomës dhe nga gazi, që nuk shkojnë në spital nga frika? Si e komentoni faktin se arrestimet e policisë janë konsideruar nga gjykata si të paligjshme? A ka oficer që po ndiqet penalisht për shkak të dhunës së ushtruar ndaj protestuesve? Ç'punë kanë efektivët e Shqiponjave, që të rrahin protestuesit?”, tha mes të tjerash Kapri.
Por Çuçi i tha Kaprit se nuk ishte i sinqertë, pasi sipas tij, ka përmendur vetëm reagimin e Policisë dhe jo sulmet me sende të forta e molotovë ndaj efektivëve.
Çuçi më tej theksoi se shqiptarët e kanë parë trajtimin që i bën Policia në vende të ndryshme të Europës protestave të dhunshme.
“Unë sigurisht që do të kisha ndjeshmërinë e duhur nëse ti do të ishe i sinqertë në këto që thua. Por mungesa e sinqeritetit fillon në momentin kur ti nuk thua gjysëm fjale për ata policë që janë në krye të detyrës dhe janë akoma në spital. Dhe janë dhunuar barbarisht me bomba molotov, armë zjarri e zhdukjes në masë. I thoni këto në një moment kur shqiptarët i shohin në të gjithë Europën sesi i trajton policia protestat e dhunshme”, iu përgjigj Çuçi.
Lajmi kryesor: