Policia Rrugore Fier, kontrolle intensive me pajisje inteligjente, pesë persona procedohen penalisht

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Policia Rrugore në Fier ka vijuar gjatë kësaj jave kontrollet e intensifikuara në akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të qytetit, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Në kuadër të kontrolleve për rritjen e sigurisë rrugore, janë proceduar penalisht 5 shtetas për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor.
Sipas Policisë, 1 shtetas është arrestuar për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa 3 të tjerë janë proceduar për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Nga këta, 1 është arrestuar dhe 2 janë proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, është proceduar penalisht 1 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë aksidentin.
Gjatë kontrolleve parandaluese në rrugët urbane, interurbane dhe lokale, Policia Rrugore ka vendosur gjithsej 1186 masa administrative. Prej tyre, 989 masa janë vendosur për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe në autostradën A2, 40 për mospërdorimin e rripit të sigurimit, 4 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 35 për parakalim të gabuar.
Policia njofton se janë vendosur 6 masa administrative për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit dhe 112 masa për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat, sipas Policisë, përbëjnë burim potencial për aksidente.
Kontrollet kanë vijuar edhe për mjetet që kryejnë transportin e nxënësve, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre gjatë lëvizjes. Gjatë kësaj jave janë vendosur 3 masa administrative ndaj mjeteve të transportit publik të konstatuara pa dokumentacionin përkatës.
Policia Rrugore Fier apelon drejtuesit e mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, me synim rritjen e sigurisë, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të përdoruesve të rrugës, si dhe garantimin e një qarkullimi të sigurt dhe pa pengesa.
/e.i/r.e/