Liga e Kombeve, Bjellorusi-Shqipëri do të luhet në Hungari

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ UEFA ka përcaktuar stadiumin ku Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen kundër Bjellorusisë në transfertë, pasi këta të fundit nuk janë të lejuar nga UEFA që të organizojnë ndeshje në territorin e tyre.
Sipas faqes zyrtare të UEFA-s takimin e fundit në grup për Shqipërinë, që është caktuar më 15 nëntor, kuqezinjtë do ta luajnë me Bjellorusinë në Hungari.
Sfida do të zhvillohet në “Illovshki Rudolf Shtadion”, në Budapest, në orën 18:00.
Ky stadium ka një kapacitet prej 5054 vendesh dhe është rinovuar për herë të fundit në vitin 2019.
Pas ndeshjes që kuqezinjtë do të luajnë në transfertë nesër ndaj San Marinos, ata do të udhëtojnë për në Finlandë, ku do të përballen më 3 tetor me vendasit në stadiumin olimpik të Helsinkit, një impiant me 36 mijë ulëse dhe që pritet të jetë sfida më interesante në grup.
Më 6 tetor, Shqipëria do të presë San Marinon në Tiranë dhe në muajin nëntor janë programuar dy sfidat e fundit, ajo me Finlandën më 12 nëntor në “Air Albania” (20:45) dhe ndaj Bjellorusisë më 15 nëntor në Budapest (18:00).
1 nga 2