Policia Rrugore kontrolle me mjete inteligjente, gjobiten mbi 26 mijë shoferë

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në terren me mjete inteligjente, shpejtësimatës dhe dronë për të monitoruar qarkullimin rrugor dhe ndëshkuar shkelësit.
Kontrollet janë kryer me objektiv rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, veçanërisht gjatë fundjavës, në akset nacionale drejt zonave turistike dhe bregdetare, pasi rritet fluksi i lëvizjes së automjeteve.
Policia njoftoi se, gjatë javës së fundit, në të gjithë vendin, janë vendosur 26 116 masa administrative për shkelje të ndryshme, si: mospërdorim i kaskës mbrojtëse, mosvendosje e rripit të sigurimit, përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit, parakalime të gabuara, drejtim i mjetit nën efektin e alkoolit, për zhurma apo manovra të rrezikshme me automjet dhe shkelje të tjera.
Gjithashtu, sipas policisë janë arrestuar 48 drejtues mjetesh, nga të cilët 26 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 22 për drejtim mjeti pa lejedrejtimi.
Policia bëri me dije se monitorim intensiv është ushtruar edhe në qendrat e banuara, për parkimet e gabuara që pengojnë lëvizjen e lirë të mjeteve të emergjencës, krijojnë fluks në trafik apo pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve në trotuare.
Në këtë kuadër, janë zhvendosur me mjetet ngritëse (karrotrec), në kryeqytet, 258 automjete të parkuara në korsi të dedikuara, në trotuare apo në vende ku ndalohet parkimi.
/m.q/j.p/