Policia angazhoi 1000 efektivë për sigurinë e provimit të parë të maturës shtetërore

Tiranë, 3 qershor /ATSH/ – Policia e Shtetit mori masa të shtuara sigurie për zhvillimin pa probleme të provimit të parë të Maturës Shtetërore, që u zhvillua ditën e sotme në të gjitha qarqet e vendit.
Policia e Shtetit përmes rrjeteve sociale njofton se, në funksion të ruajtjes së materialeve konfidenciale të testimit, garantimit të rendit dhe sigurisë në ambientet e qendrave të provimit, si dhe shoqërimit të materialeve pas përfundimit të testit, u angazhuan rreth 1000 efektivë policie në shkallë vendi.
“Punonjësit e Policisë së Shtetit u përfshinë në çdo hallkë të procesit, nga shoqërimi dhe sigurimi i materialeve të provimit deri te mbikëqyrja e rendit dhe sigurisë pranë çdo qendre testimi, për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për maturantët.
“Sipas të dhënave zyrtare, procesi përfundoi pa asnjë incident që lidhet me rendin publik apo me problematika të tjera të sigurisë”, lexohet në njoftim.
Policia e Shtetit uroi maturantët për përfundimin me sukses të provimit të parë dhe ju dëshiroi rezultate të larta në testimet e ardhshme. Po ashtu, i ftoi të rinjtë që të konsiderojnë Akademinë e Sigurisë si një mundësi konkrete për të ndërtuar një karrierë në shërbim të rendit dhe ligjit.
Mbi 27 mijë maturantë në të gjithë vendin iu nënshtruan sot provimit të Maturës Shtetërore 2025, duke filluar me provimin e gjuhës së huaj.
Policia e Shtetit e angazhuar në sigurinë gjatë provimit të parë të maturës shtetërore 1 nga 13/a.f/