E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Metsola: Situata në Gaza është katastrofike

BRUKSEL, 3 qershor /ATSH-AA/ – Presidentja e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Metsola, bëri thirrje për akses urgjent humanitar në Gaza, duke theksuar kushtet e tmerrshme në terren dhe duke përsëritur nevojën për një armëpushim të përhershëm.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministren daneze, Mette Frederiksen, pas takimit, Metsola e përshkroi situatën humanitare në Gaza si “katastrofike”.

“Situata në Gaza është katastrofike. Kemi fëmijë, gra dhe burra që vdesin çdo ditë. Dhe ne, si kontribuuesi numër një i ndihmës humanitare, duhet të pyesim se ku po shkon kjo ndihmë dhe si do të shkojë tek njerëzit që kanë më shumë nevojë për të”, tha ajo.

Metsola nënvizoi qëndrimin e hershëm të PE-së që bën thirrje për një armëpushim të përhershëm, lirimin e pengjeve dhe rëndësinë e përparimit drejt një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

Ajo riafirmoi se BE-ja “nuk do të hezitojë” të adresojë bombardimet pa dallim të civilëve, duke shtuar se Marrëveshja e Asociimit BE-Izrael që po shqyrtohet do të pasqyrojë këto shqetësime.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë gati 54.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë midis më shumë se 2 milionë banorëve të enklavës./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›