E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia bën bilancin e nëntorit: 115 operacione, 602 të arrestuar dhe miliona euro pasuri të sekuestruara

Policia e Shtetit ka publikuar bilancin mujor të punës për nëntorin, duke theksuar bashkëpunimin me qytetarët, operacionet e shënjestruara kundër kriminalitetit dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për kapjen e personave të kërkuar.

Gjatë muajit nëntor:

• 115 operacione policore u finalizuan në rang vendi, mes tyre 13 operacione ndërkombëtare për arrestimin dhe/ose ekstradimin e personave të kërkuar për përfshirje në grupe kriminale jashtë vendit.

• 602 persona u arrestuan për vepra të ndryshme penale.

• U sekuestruan sasi të konsiderueshme armësh dhe lëndësh të rrezikshme, përfshirë 5.6 kg lëndë shpërthyese, 29 granata, qindra kapsolla detonatore dhe 41 armë zjarri me rreth 7 mijë fishekë.

• U godit trafiku i drogës, me sekuestrimin e 7 kg kokainë, 85 kg kanabis (përfshirë formate të përpunuara), 1516 bimë narkotike dhe 300 fara kanabisi.

• U sekuestruan rreth 12 milionë euro pasuri me burim kriminal, 120 mijë euro cash, para të vjedhura në një bankë, pako me kartëmonedha të falsifikuara dhe rreth 300 celularë.

• U zbulua infrastrukturë kriminale e aktivitetit narkotik, përfshirë 8 ambiente të mbyllura të pajisura me 992 llamba për kultivimin e kanabisit, si dhe ambiente të përdorura për prostitucion dhe lojëra të fatit.

Operacionet kryesore

• “Oroshi”: Një operacion me rrezikshmëri të lartë, i ndërmarrë nga RENEA, Antiterrori dhe Policia e Shkodrës, që çoi në arrestimin e dy personave të vetizoluar të armatosur rëndë, pas 12 orësh rrethim.

• Zbardhja e vrasjes në Gjorm: Pas kërkimesh intensive me dron, Policia e Vlorës arrestoi autorin 32-vjeçar me rrezikshmëri të lartë.

• Goditja e tre grupeve kriminale në Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër, ku u arrestuan 53 persona gjatë operacioneve “Labirinti”, “Cleaning 3” dhe “Andromeda”.

• Parandalimi i trafikut të drogës dhe eksplozivëve drejt Kosovës, si dhe goditja e 4 rasteve të trafikimit të automjeteve luksoze.

Krimet ekonomike dhe kibernetike

• Njësitë për krimet ekonomiko-financiare goditën 42 raste, që përfshinë mashtrime me call center-a, dokumente false, kontrabandë dhe ndërtime të paligjshme.

• Në fushën e krimeve kibernetike u evidentuan 12 raste, përfshirë pornografi me të mitur, mashtrime financiare, vjedhje llogarish dhe keqpërdorime të profileve online.

Renditja, qarkullimi dhe kufijtë

• Policia Rrugore arrestoi 220 drejtues mjetesh, pezulloi 316 patenta dhe vendosi mbi 113 mijë masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor.

• Në kufij u konstatuan 47 raste të kalimit të paligjshëm, tentativa me dokumente false, kontrabandë dhe trafikim narkotikësh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›