Policia e Irlandës së Veriut përdor topa uji në natën e dytë të protestave

Policia e Irlandës së Veriut përdori topa uji për të shpërndarë turma të vogla protestuesish në natën e dytë të trazirave në Belfast, pas një sulmi brutal me thikë që ndezi zemërimin publik.
Autoritetet britanike fajësuan aktivistët e ekstremit të djathtë për nxitjen e dhunës përmes rrjeteve sociale.
Dhjetëra persona u përballën me policinë duke hedhur gurë e shishe dhe duke vënë zjarr në rrugë, ndërsa qendra e Belfastit mbeti e mbyllur me biznese, shkolla dhe transport publik të pezulluar.
Tre persona u arrestuan në Irlandën e Veriut dhe tre të tjerë në Glasgou, ku pati gjithashtu përleshje dhe të plagosur.
Në gjykatë u paraqit Hadi Alodid, një refugjat sudanez 30-vjeçar, i akuzuar për tentativë vrasjeje pas sulmit me thikë që la të plagosur rëndë Stephen Ogilvie.
Familja e viktimës bëri thirrje për qetësi, duke paralajmëruar kundër përdorimit të tragjedisë për nxitje armiqësie.
Kryeministri britanik Keir Starmer i quajti skenat “tronditëse dhe të papranueshme”, ndërsa shefi i policisë Jon Boutcher paralajmëroi për shtimin e forcave në terren. Ministrja Ruth Anderson tha se 27 persona mbetën të pastrehë pasi shtetasit e huaj u sulmuan derë më derë.
Tensionet mbi imigracionin kanë nxitur protesta të dhunshme në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa platformat online akuzohen për rolin e tyre në përhapjen e urrejtjes.
Deputetja Anna Turley kritikoi Elon Musk për amplifikimin e mesazheve anti-imigracion, ndërsa Ofcom paralajmëroi për rrezikun e përdorimit të rrjeteve sociale për nxitje dhune.
/rtsh.al/