Policia e Kosovës pajiset me 41 vetura të reja

PRISHTINË, 2 dhjetor/ATSH/ Drejtoria e Policisë së Kosovës ka shpërndarë sot 41 vetura të reja për njësitë patrulluese, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e kapaciteteve operative në rritjen e sigurisë për qytetarët.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë, kolonel Gazmend Hoxha, ka dorëzuar automjetet e reja, të cilat përfshijnë 35 limuzina, mes tyre edhe modele hibride, si dhe 6 xhipa të dedikuar për mbulimin e zonave të vështira patrulluese në të gjitha drejtoritë rajonale të vendit.
Sipas një postimi në Facebook, ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm në përmbushjen e objektivave të Planit Zhvillimor Strategjik, duke fuqizuar qasjen proaktive të policisë dhe rritur efikasitetin në reagimin ndaj kërkesave të qytetarëve.
Policia e Kosovës thekson se pajisja me automjete të reja do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e bashkëpunimit me komunitetin, rritjen e transparencës institucionale dhe forcimin e besimit të qytetarëve në organet e rendit.
Policia e Kosovës - Foto: KosovaPress 1 nga 3/KosovaPress//r.e/