E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Lezhës nuk konstaton asnjë shkelje për zhurmat në Shëngjin

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Policia e Lezhës vijon kontrollet për respektimin e normave të lejuara të zhurmës në zonën turistike të Shëngjinit, në kuadër të masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit veror.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, kanë vijuar monitorimet në terren në zonat e identifikuara me risk për ndotje akustike.

Gjatë kontrolleve janë përdorur pajisje matëse të nivelit të zhurmës për verifikimin e ambienteve të hapura dhe të mbyllura, me qëllim respektimin e kufijve të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për administrimin e zhurmës në mjedis.

Nga matjet e kryera rezultoi se nivelet e zhurmës kanë qenë brenda kufijve të lejuar dhe nuk është evidentuar asnjë shkelje që të kërkonte masa administrative.

Kontrollet kanë përfshirë edhe respektimin e orarit të lejuar për zhvillimin e aktiviteteve muzikore në ambiente të hapura në zona të banuara, nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Lezhës bëri të ditur se do të vijojë monitorimin gjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast shkeljeje./ /gj.m/ a.jor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›