E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Shtetit: Dënojmë me forcë aktet e dhunës ndaj efektivëve

TIRANË, 22 mars/ATSH/- Policia e Shteti ka reaguar mbrëmjen e sotme pas protestës së zhvilluar nga Partia Demokratike duke theksuar se “u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, u lënduan 6 punonjës policie”.

“Të dëmtuarit, përkatësisht efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Policia e Shtetit thekson se “gjatë tubimit u bëri thirrje, nëpërmjet Qendrës së Zërit, pjesëmarrësve në tubim të mos ushtronin akte dhune dhe të mos sulmonin punonjësit e Policisë me bomba molotovë dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e pjesëmarrësve sulmuan punonjësit e Policisë”.

Policia e Shtetit shton më tej në njoftim se  kishte marrë masa për ruajtjen e institucioneve, rendit dhe sigurisë publike dhe mbetet tërësisht e angazhuar, për të garantuar ushtrimin e së drejtës qytetare për të protestuar.

Policia njëkohësisht, dënon me forcë aktet e dhunës së përsëritur ndaj punonjësve të Policisë në krye të detyrës, si dhe ndaj institucioneve shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›