Policia e Shtetit njofton procedurat për studimin në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e Shtetit njoftoi sot për plotësimin e formularit A1/A1Z për të gjithë punonjësit e Policisë që duan të studiojnë në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, dhe për ata shtetas që kanë përfunduar shkollën e mesme edhe përpara vitit 2024.
Në vijim të procedurave të konkurrimit të hapur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë i studimeve “Bachelor”, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë, për 150 kuota të lira, të shtetasve që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, Policia e Shtetit njofton se, “në zbatim të Urdhrit nr. 189, datë 04.08.2025, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka miratuar periudhën e aplikimeve me formularin A1/A1Z, për Maturën Shtetërore 2025, më datë 06 gusht 2025″.
Sa më sipër, Policia e Shtetit sqaron se formulari A1 dhe A1Z do të jetë aktiv për t’u plotësuar më datë 06 gusht 2025, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, në shërbimin elektronik “Matura Shtetërore”, nëpërmjet portalit e-Albania.
Formulari A1 duhet të plotësohet nga maturantët e këtij viti shkollor, ndërsa formulari A1Z plotësohet nga të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë për ndjekjen e studimeve të arsimit të lartë.
Formularët A1/A1Z plotësohen fillimisht online nëpërmjet portalit e-Albania dhe më pas duhet të konfirmohen në shkollën përkatëse nga vetë maturanti ose kandidati.
Në kategorinë kandidat përfshihen dhe punonjësit e Policisë të cilët janë të interesuar për të ndjekur programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë i studimeve “Bachelor”, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë.
Ky proces lidhet me raundin e dytë, sipas kalendarit të aplikimeve për universitet 2025, të miratuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar, bën të ditur Policia e Shtetit.
/gj.m/r.e//a.f/