E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Tiranës sekuestroi 12 pistoleta të trafikuara nga Kosova, Proda: Goditje pa kompromis

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, shprehu vlerësim për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për operacionet e njëpasnjëshme në goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si dhe të veprimtarisë kriminale të shitjes dhe mbajtjes së tyre pa leje në territorin e Tiranës.

“Vlerësim dhe mirënjohje të veçantë për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për finalizimin e operacionit të radhës, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme dhe të suksesshme të zhvilluara për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si dhe të veprimtarisë kriminale të shitjes apo mbajtjes pa leje të armëve në Tiranë. Operacioni “Barriera”, si dhe operacionet dhe goditjet e realizuara përgjatë vitit 2025 dhe në fillim të këtij viti, janë dëshmi e një pune të mirorganizuar, profesionale, hetimore dhe operacionale, e strukturave të DVP Tiranë.

Gjithashtu, konfirmojnë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht me Prokurorinë e Tiranës dhe partnerët ligjzbatues, si dhe bashkëpunimin shumë të mirë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, në funksion të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje, trafikimit të lëndëve narkotike dhe çdo paligjshmërie tjetër“, shprehet Proda.

Ai thekson se armëmbajtja pa leje, trafikimi i armëve apo vepra të tjera penale të  lidhura me to, dogoditen pa kompromis përgjatë këtij viti.                          

“Armët e zjarrit janë mjeti kryesor për kryerjen e veprave penale dhe përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike. Parandalimi dhe goditja e tyre mbetet një prioritet absolut i Policisë së Shtetit, në shërbim të rendit, ligjit dhe qytetarëve. Sjell në vëmendjen tuaj  se gjatë vitit 2026, goditja pa kompromis e armëmbajtjes pa leje, trafikimit të armëve dhe çdo forme tjetër të veprimtarisë kriminale të lidhur me to, do të jetë një nga fokuset kryesore të punës së Policisë së Shtetit në të gjitha qarqet e vendit. Ndaj ju inkurajoj që të vazhdoni punën me vendosmëri, profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, në shërbim të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve”, thotë Proda.

Policia e Tiranës ka goditur sot (8 shkurt) një tjetër rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë. Gjatë operacionit policor të koduar “Barriera”, u sekuestruan 12 pistoleta Glock me municion luftarak dhe u arrestua në flagrancë një 27‑vjeçar nga Kosova.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›